“Fillimisht i nxitën qentë për përleshje”… Prokuroria jep detaje për vrasjen në Prizren

Prokuroria Themelore në Prizren i ka kërkuar Gjykatës Themelore në Prizren caktimin e masës së paraburgimit në afat prej 30-ditësh për të pandehurin E.B., i dyshuar për veprat penale “Vrasja e rëndë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Rasti ka të bëjë me vrasjen e ndodhur mbrëmjen e së dielës në lagjen “Tusuz” në Prizren, teksa prokuroria ka dhënë detaje mbi rastin.
Thuhet se vrasja e viktimës H.SH. ndodhi pasi i dyshuari E.B. dhe tashmë viktima, duke pasur një mosmarrëveshje paraprake, ata fillimisht i kanë nxitur qentë e tyre për përleshje teksa pas një fjalosjeje të shkurtër, E.B. nxjerr thikën dhe e godet viktimën H.SH., i cili vdes në QKUK si pasojë e plagëve.
“Me 10.08.2025 rreth orës 20:30min në lagjen “Tusuz” në rrugën “Lapidari” në Prizren, i pandehuri E.B., pas një mosmarrëveshjeje paraprake, në mënyrë dinake dhe duke shfrytëzuar besimin e viktimës, me dashje e privon nga jeta tanimë të ndjerin H.SH., në atë mënyrë që fillimisht i nxisin qentë e tyre në një përleshje dhe pas një fjalosjeje të shkurtër, i pandehuri papritmas dhe në mënyrë të befasishme e nxjerr thikën-patente dhe e godet H.SH., me ç’rast ai dërgohet në QKUK në Prishtinë, ku ndërron jetë nga plagët e marra. Me këto veprime E.B., ka kryer veprën penale ‘Vrasja e rëndë’ sipas KPRK-së”, tha prokuroria.
Po ashtu, sipas prokurorisë, ai ngarkohet edhe për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” sipas KPRK-së./Indeksonline/