14:42 / E Martë, 01 Nëntor 2022 / k.v

Filloi aplikimi për gjeneratën e 10-të të KEDS Academy për nxënës dhe studentë të rinj

KEDS Academy 10 ka hapur konkurs për trajnime interaktive për studentët e arsimit të lartë dhe për nxënësit e shkollave të mesme teknike për vitin shkollor 2022-2023.

Në bashkëpunim të ngushtë me Universitetin e Prishtinës dhe Universitetin Bogaziçi të Stambollit, një nga më prestigjiozët në botë, KEDS Academy ofron trajnime dhe praktikë të avancuar në sektorin e Energjetikës.

Aplikimi i studentëve ka filluar më 24 tetor 2022 dhe do të zgjasë deri më 11 nëntor 2022. Të drejtë aplikimi kanë të gjithë studentët e universiteteve Publike të Republikës së Kosovës që janë duke i ndjekur ligjëratat e vitit të tretë të studimeve dhe të vitit të fundit akademik nga fakulteti Inxhinieri Elektrike dhe Kompjuterike, Ndërtimtari, Shkenca Matematikore, Juridik, Inxhinieri Mekanike dhe nga ai Ekonomik, dhe nxënësit e vitit të fundit të shkollave të mesme Profesionale, drejtimi Elektroteknikë.

Pas përzgjedhjes në bazë të rezultateve në procesin e aplikimit, studentët dhe nxënësit trajnohen në aspektin teorik dhe në atë praktik, duke u angazhuar në departamente të ndryshme të kompanisë, përfshirë edhe trajnimin në terren dhe përdorimin e aseteve energjetike.

KEDS Academy 10 u ofron të gjithë të interesuarve këtë mundësi me qëllim që të përfitojnë njohuri profesionale për integrim më të lehtë në tregun vendor dhe në atë ndërkombëtar të punës.  

Ky është viti i dhjetë me radhë që KEDS Academy organizon trajnime të tilla që kur KEDS ka filluar së operuari si korporatë në Kosovë në vitin 2013. Prej atëherë e deri më sot janë trajnuar rreth 500 studentë e nxënës, shumë prej të cilëve janë punësuar në korporatë.

KEDS Academy 10 u bën thirrje të gjithë studentëve dhe nxënësve të interesuar që të aplikojnë në këtë trajnim dhe të shfrytëzojnë këtë rast që u ofron jo vetëm mundësi aftësimi profesional, por edhe punësimi.

Për më shumë informata rreth aplikimit, klikoni në linkun e mëposhtëm:

https://www.keds-energy.com/shq/lajme/informata-rreth-aplikimit-ne-programin-keds-a-2312/