14:39 / E Premte, 21 Shkurt 2020 / indeksADMonline

Filloi platforma për nxitjen e konkurencës dhe inovacionit për ballkan

Në Shtëpinë e Evropës,në Tiranë, në një konferencë të organizuar nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal dhe Forumi Ekonomik Botëror, ka nisur iniciativa për t’i dhënë udhë përshpejtuesit të konkurencës dhe inovacionit në hapësirën e Ballkanit Perëndimor.

Në hapje të këtij takimi, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama tha se Ballkani Perëndimor po ndryshon, dhe në këtë ka të bëjë shumë digjitalizimi. “Tashmë Ballkani Perëndimor është identifikuar për kapacitetet e mrekullueshme për të prodhuar histori.

Kemi pasur shumë histori, shumë konflikte, evente, ngjarje, por asnjëra nuk ka qenë frymëzuese. Historia është një rrëmbyes i rajonit tonë dhe i së ardhmes së fëmijëve tanë. Jam i lumtur të festojmë ndryshimet që po bëhen. Ne kemi filluar të shkruajmë një kapitull të ri, duke sjellë së bashku të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, për herë të parë, duke i ulur ata rreth një tavoline të përbashkët, për të folur për mundësinë tonë të së ardhmes. Po shohim një punë që është në proces e sipër dhe që zhvillohet paralelisht me sfidat, që prodhon e shkuara. Pavarësisht kësaj ne jemi të angazhuar dhe do të ecim përpara, sepse kjo është ajo që ne ja detyrojmë fëmijëve tanë.” ka thënë kryeministri Rama. Ai ka shtuar se Ballkani Perëndimor ua borxh fëmijëve tanë, që të kemi një vend të ri, aty ku cilësia e jetës sonë së bashku nuk do të matet nga sa shumë ne pajtohemi me njëri-tjetrin, por deri në çfarë mase ne nuk biem dakord.

“Ne do krijojmë një hapësirë ku mosmarrëveshjet nuk janë deklarata përpara luftërave, gjakderdhjeve, por janë pjesë e hapësirës ku ne nuk jemi të detyruar që të biem dakord për çdo gjë, thjesht jemi të detyruar të gjejmë një mënyrë për të mos rënë dakord. Nga mosmarrëveshjet ne mësojmë më shumë për njëri-tjetrin.”, ka përfunduar kryeministri Rama.

Majlinda Bregu, sekretarja gjenerale e Këshillit për Bashkëpunim Rajonal, ka thënë se tashmë edhe zyrtarisht ka nisur peocesi i përshpejtimit për të nxitur inovacionin dhe konkurrueshmërinë në Ballkanin Perëndimor.

“Pa një funksion për inovacion strategjik që rrit kapacitetet për të inkubuar dhe përshpejtuar teknologjitë e reja, kompanitë në Ballkanin Perëndimor do të vazhdojnë të grumbullojnë shpikje të pazhvilluara që nuk do të mund të kthehen në investime.

Në këtë mënyrë, rrezikojmë të biem në grackën e të pasurit ide inovative që ekzekutohen në mënyrë graduale. Inovacioni në rajon është 33,7% ndërsa në nivelin e 15 vendeve të BE-së qëndron në 50%. Pavarësisht kësaj, ka hapësira të epërsisë shkencore dhe sipërmarrjes që lulëzojnë në rajonin tonë”, tha Sekretarja e Përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC), Majlinda Bregu në takimin e parë .

“Mendjet e bukura frymëzojnë të tjerët”, mbi Përshpejtimin e Konkurrencës dhe Inovacionit në Ballkanin Perëndimor që u zhvillua sot në Tiranë. Martina Larkin, udhëheqësja për strategji rajonale për Evropë dhe Azi dhe anëtarja e Komitetit Ekzekutiv në Forumin Botëror Ekonomik, ka thënë se Ballkani Perëndimor vuan nga largimi i trurit, papunësia dhe shkalla e ulët e zhvillimit të inovacionin. Sipas saj, pikërisht kjo nismë do të ndihmojë që të nxis konkurrencën dhe digjitalizimin.

Mbledhja e sotme bashkoi Ministrat që merren me inovacionin dhe konkurrueshmërinë në rajon; Anila Denaj, Ministre e Financave dhe Ekonomisë së Shqipërisë, Stasa Kosarac, Ministër i Tregtisë së Jashtme dhe Marrëdhënieve Ekonomike të Bosnjës dhe Hercegovinës; Rozeta Hajdari, Ministre e Zhvillimit Ekonomik të Kosovës *; Nina Angelovska, Ministre e Financave e Maqedonisë së Veriut;Mladen Sarcevic, Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Zhvillimit Teknologjik të Serbisë; dhe Sasa Ivanoviç, Sekretari i Shtetit për Shkencë në Ministrinë e Shkencës së Malit të Zi, si edhe përfaqësuesit e WEF, për të dakordësuar mbi prioritetet kyçe për zhvillimin e Planit të Veprimit, zyrtarizimin e krijimit të Grupit të Lidershipit dhe rolin e Koordinatorit Rajonal, si dhe për të nënvijëzuar aktivitetet dhe indikatorët e përshpejtuesit për 2020. Përshpejtuesi i Konkurrencës dhe Inovacionit në Ballkanin Perëndimor është një platformë bashkëpunimi lidershipi publik-privat që synon të mbështesë rajonin në përmirësimin e konkurrueshmërisë dhe për të siguruar rritje afatgjatë.

Nëntorin e kaluar, RCC dhe WEF nënshkruan Memorandumin e Mirëkuptimit mbi përshpejtimin e konkurrueshmërisë dhe inovacionit në rajon, duke themeluar kështu këtë përshpejtues rajonal.