19:16 / E Diele, 04 Shkurt 2024 / S Z

Fillon faturimi, bie konsumi i energjisë në veri

Nga janari i këtij viti, ka filluar faturimi i energjisë për qytetarët në katër komunat në veri të vendit.  Konsumatorëve atje tashmë u janë dërguar faturat për pagesen e energjisë elektrike. Kryeshefi i KOSST-it Evetar Zeqiri,  në një intervistë për “Indeksonline” thotë se me fillimin e faturimit , ka rënë dhe konsumi i energjisë në veri.

“Është herët të thuhet për një konstatim të saktë. Por vërehet një ulje e lehtë e konsumit në pjesën veriore. Nëse krahasohen shpenzimet e muajit janar 2024 me shpenzimet janar 2023, pra për periudhen e njëjtë, vërehet një rënie e konsumit në katër komunat veriore. Përkundër që në nivel të përgjithshëm konsumi ka pësuar rritje, konsumi në pjesen veriore ka pësuar një rënie të lehtë. Po ashtu nëse e krahasojmë janarin e 2024 me dhjetorin e 2023 pra ndërrimin e motmoteve dhe aty vërehet një rënie e lehtë e konsumit”, tha Zeqiri.

Ndërsa thotë se ZRRE tashmë ka licencuar kompaninë Elektroserver, e cila është përgjegjëse për energjinë në komunat veriore.

“Elektroserveri kompania e licencuar nga ZRRE, ka filluar marrjen e përgjegjësisë për energjinë e konsumin në katër komunat e veriut. Përgjegjësia e Elektroserverit është me nominu energjinë, me marrë persipër furnizimin e katër komunave në pjesen veriore. Pjesa e faturimit të konsumatotorëve, nuk është përgjegjësi e KOSST-it, është përgjegjësi e Elektroserverit. Në bazë të informatave që janë publike, ka filluar faturimi,  mirëpo informatat më të detajtajuara i ka Elektroserveri. Kjo është një arritje e madhe për të gjithë sektorin. Energjia e konsumuar në pjesen veriore përfundimisht pas një periudhe shumë të madhe ka filluar me u nominu. Në kuptimin se ka filluar ta marrë përsipër një palë përgjegjsë siç është Elektroserveri. Kjo nënkupton që energjia e konsumuar në veri ka me filluar me u pagu nga konsumatorët të cilët gjenden në pjesen veriore”, ka thënë ai.