17:05 / E Mërkurë, 24 Tetor 2018 / indeksADMonline

Fillon hapja e bunarëve në Skenderaj, për familjet që vuajnë nga mungesa e ujit të pijshëm

Kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, ka njoftuar  përmes një statusi në Facebook, se sot ka filluar hapja e bunarëve për familjet që vuajnë mungesën e ujit të pijshëm.

Kjo, njëherësh ishte një nga premtimet e dhëna të Kryetarit të kësaj Komune e cila me nënshkrimin e 20 kontratave ndërmjet Organizatës “Qatar Charity”, nisë realizimin.

“Sot filloi përmbushja e premtimit të dhënë për hapje të bunarëve për familjet që vuajnë mungesën e ujit të pijshëm, me nënshkrimin e 20 kontratave ndërmjet Organizatës “Qatar Charity” dhe qytetarëve të komunës sonë”.

Jashari, tha se këtë premtim e dha para tre muajsh, gjatë dëgjimeve buxhetore për nevojat e fshatrave të Skenderajt, me ç’rast gjatë kësaj periudhe janë identifikuar rastet më urgjente.

“Ky ka qenë një premtim i imi i dhënë para 3 muajve, gjatë dëgjimeve buxhetore nëpër fshatrat e Skenderajt, dhe gjatë kësaj kohe janë identifikuar rastet më urgjente për të intervenuar me hapje të bunarëve”, ka shkruar Jashari.

Sipas Jasharit, kjo Organizatë përveç se do të bëjë hapjen e bunarit, do të instalojë edhe gypat e ujit nga pusi deri brenda shtëpisë ku jeton familja.

Ai, tha gjithashtu, se do të investohet në sistemin e ujësjellësit në secilin fshat që është nevojë e domosdoshme./Indeksonline/