Nis mësimi plotësues, për testin e arritshmërisë për nxënës të klasave të nënta

Ministria e Arsimit, Shkëncës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) ka kontaktuar sot të gjitha drejtoritë komunale të arsimit dhe sipas raportimeve, procesi i fillimit të përgatitjeve në shkolla për testin e arritshmërisë ka shkuar sipas kalendarit të përshtatur nga MASHTI për përfundimin e vitit shkollor 2019-2020 në rrethana të pandemisë COVID-19.
Sipas raportimeve të DKA-ve, mësimi plotësues për nxënësit e klasave të nënta, i paraparë të fillonte sot me kalendarin e përshtatur, ka filluar në të gjitha komunat, përveç në Komunën e Malishevës dhe në atë Junikut për arsye se nuk kanë pasur mundësi t’i bëjnë përgatitjet e nevojshme në të gjitha shkollat dhe në këto komuna mësimi pritet të nisë gjatë javës.
Paraprakisht, sipas deklarimeve të përgjegjësve të arsimit nëpër komuna, është bërë edhe dezinfektimi i objekteve shkollore dhe janë siguruar dezinfektues dhe maska në shkolla dhe po zbatohen rekomandimet e IKSHP-së.
Mësimi plotësues për përgatitje për testin e arritshmërisë do të zgjasë deri më 19 qershor, ndërsa testi do të mbahet më 23 qershor 2020.