18:37 / E Mërkurë, 15 Nëntor 2017 / indeksADMonline

Fillon ngrohja e “zemrave” të Prishtinës

“Termokos” ka bërë me dije se ka sanuar problemin me ngrohjen dhe tashmë janë tejkaluar problemet.

Sipas një njoftimi për media, bëhet e ditur se problemi kishte ardhur si pasojë e problemit teknik me sistemin e kogjenerimit.

Indeksonline rreth para një ore ka informuar qytetarët se ngrohja do të kthehet gjatë ditës së sotme.

Ky është njoftimi i plotë i “Termokos”:

NP “Termokos” SH.A, njofton opinionin e gjerë e në veçanti konsumatorët, se pas problemeve, që janë shfaqur sot në mëngjes,  si pasojë e një problemi teknik të shkaktuar në softuerin e sistemit të kogjenerimit, që kishte ndikuar në ndërprerjen e përkohshme të furnizimit me ngrohje, falë angazhimit të ekipeve tona janë tejkaluar problemet e paraqitura.

Ekipet tona kanë punuar intensivisht për identifikimin, sanimin e këtij problemi si dhe rikthimin e furnizimit të rregullt me ngrohje.

Tanimë, sistemi i kogjenerimit është rikthyer në funksion. Kemi filluar me marrjen e sasive të para të avullit nga Termocentrali “Kosova B” për prodhimin e energjisë ngrohëse, e cila shumë shpejtë do të arrijë tek të gjithë konsumatorët tanë.

Është sezoni i katërt ngrohës, që prej funksionalizimit të sistemit të kogjenerimit dhe furnizimit me energji termike nëpërmes këtij sistemi, i cili ka funksionuar pa kurrfarë problemi deri më tani. Ky është problemi i parë i shfaqur deri më tani në sistemin e kogjenerimit, andaj shpresojmë në mirëkuptimin e gjithë konsumatorëve tanë.