75 Mall Live Search
10:21 / E Mërkurë, 16 Tetor 2019 / indeksADMonline

Nis numërimi i votave nga diaspora, ato me vonesë nuk procedohen

Valmir Elezi, zëdhënës në Komision Qendror të Zgjedhjeve, në një konferencë për media ka thënë se sot nis numërimi i votave nga diaspora.

“Ju njoftoj se në këto momente ka nisur procesi i numërimit të rreth 13 mijë e 500 fletëvotimeve të cilat kanë ardhur nëpërmjet postës gjatë periudhës së votimit 19 shtator – 5 tetor 2019.

Ky numërim nis pas vlerësimit që u është bërë pakove me fletëvotime që kanë ardhur gjatë periudhës së votimit nëpërmjet postës. Vlerësimi, si proces, ka për qëllim të identifikojë një fletëvotim me personin që e ka dërguar pakon, në mënyrë që fletëvotimi të miratohet ose refuzohet.

Kështu, gjatë periudhës së vlerësimit janë proceduar dhe vlerësuar 16 mijë e 189 pako të supozuara me fletëvotime, prej tyre 13 mijë e 491 janë miratuar, ndërsa 2 mijë e 698 janë refuzuar”, ka thënë Elezi, transmeton Indeksonline.

Ai shtoi se arsyet që janë refuzuar votat nga disa votues janë të ndryshme.

“Arsyet se përse janë refuzuar rreth 2 mijë e 700 persona janë si në vazhdim:

1 mijë e 74 persona që nuk kanë aplikuar në periudhën për t’u regjistruar si votues jashtë vendit; 204 aplikues të cilët janë refuzuar gjatë periudhës së aplikimit për t’u regjistruar si votues jashtë vendit;                 62 persona të cilët janë dërguar pako me fletëvotime më shumë se një herë; 797 raste të tjera kur personat që nuk janë identifikuar që kanë dërguar fletëvotim; dhe 561 persona që nuk e kanë dëshmuar identitetin me dokumente valide të identifikimit (që kanë ërguar kopje të dokumenteve me afat të skaduar)”, ka thënë ai.

“Numërimi i të gjitha këtyre fletëvotimeve do të bëhet në 23 tavolina numërimi. Rezultati i këtij numërimi do të përditësohet kohë pas kohe në tabelën e QNR-së e gjithashtu formularët që plotësohen pas këtij numërimi do të skanohen dhe publikohen në ueb faqe të KQZ-së”..

Ndërsa për votat nga diaspora që kanë ardhur me vonesë, Elezi ka thënë se nuk do të procedohen.

“Shërbimi Votues i Zgjedhjeve përfshin vetëm votat që kanë pranuar brenda afatit ligjor, e jo ato që kanë ardhur me vonesë”.

Numërimin e të gjitha votave KQZ-ja ka planifikuar të bëhet për një ditë e gjysmë./Indeksonline/