10:21 / E Hënë, 02 Korrik 2018 / indeksADMonline

Fillon seanca ndaj rastit ‘Syri i Popullit’, merr pjesë edhe Azem Vllasi

Në Gjykatën Themelore të Prishtinës ka filluar seanca e shqyrtimit gjyqësor në rastin e njohur si  “Syri i Popullit”.

Në këtë seancë po merr pjesë ish-funksionari, Azem Vllasi, ndaj të cilit i pandehuri në rastin “Syri i Popullit”, Murat Jashari, kishte tentuar ta vriste atë.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale Sadri Ramabaja, Sabit Berisha, Behxhet Luzha, Ragip Sallova, Halim Halimi, Bajrush Konjusha, Lirije Luzha, Behxhet Topolana, Avni Llumnica dhe Murat Jashari dyshohen se kanë kryer veprat penale “hakmarrje në ndihmë”, “dhunim”, “përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Kosovës”, “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe “hakmarrje”, raporton “Zeri.info”.

Të pandehurit, me datë 15.05.2015, në një shtet evropian, kishin marrë vendim që në mars të vitit 2017, të fillojnë me aksione të kundërligjshme, me qëllim që seriozisht të destabilizojnë ose të shkatërrojnë strukturat themelore politike, kushtetuese, ekonomike apo shoqërore të Kosovës, që me sulme dhe me vrasje ndaj personaliteteve më të larta shtetërore duke filluar nga ish- funksionarët e lartë të Kosovës prej vitit 1980 deri në 1991, duke i konsideruar si tradhtarë të vendit, e po ashtu funksionarët nga viti 1999 deri në vitin 2016.