Filmi “Bota jonë” me premierë botërore në Venedik

Qendra Kinematografike e Kosovës, ka ndarë detaje lidhur me Filmin “Bota jonë” , i cili kishte premierën botërore në Venedik.
“Kemi kënaqësine të ndajmë me momente nga premiera e filmit “Bota jonë” me regji nga Luana Bajrami i cili po garon në kategorinë “Orizzonti Extra” në edicionin e 80-të të festivalit të filmit në Venedik, njërin prej 5 festivaleve më të vjetra të filmit në botë. Ky festival ka filluar më 30 gusht dhe do të përmbyllet me datën 9”, thuhet në njoftimin e Qendres Kinematografike të Kosovës.
Producentët e filmit janë Eric Toledano dhe Valbonë Rrahmani.
Në film luajnë: Albina Krasniqi, Elsa Mala, Don Shala, Aurora Ferati, Gani Rrahmani dhe Uratë Shabani.
I gjithë ekipi u përshëndet dhe u përgëzua nga Roberto Ciccutto, Presidenti i Bienales së Venedikut.
“Bota jonë” është realizuar me mbështetjen e Qendres Kinematografike të Kosovës, distributori Gaumont dhe ekipi i OrëZanë Films.
“Bota jonë” është produksioni i parë që përfiton nga marrëveshja e bashkëprodhimit kinematografik që Franca dhe Kosova nënshkruan në Festivalin e Filmit në Kanë 2022. Para tij, në Venedik janë shfaqur “House keeping for beginners”, me aktore Rozafa Çelaj e Ilire Vinca, për të vazhduar me “A Short Trip” të Erenik Beqirit nga Shqipëria, ku luajnë edhe Luana Bajrami e Arben Bajraktaraj.
Për nder të filmave tanë pjesmarrës në Festivalin e Filmit në Venedik, premiera u shoqërua me një koktej rasti nga Ambasada e Kosovës, ku i pranishëm ishte edhe kryeministri Albin Kurti.