Filmi “Zana” nuk ia del të hyjë në dhjetëshen që vazhdon rrugen drejt “Oscarit”
Prishtinë,
18 dhjetor – Filmi që ishte kandidat i Kosovës për t’u nominuar për “Oscar” nuk
ia ka dalë të hyjë në dhjetëshen e që e vazhdojnë rrugëtimin drejt çmimit
prestigjioz. “Zana” me regji të Antoneta Kastratit ka ngelur jashtë listës para
nominimeve për kategorinë e filmit më të mirë në gjuhë të huaj (jo anglisht).
Sivjet Qendra Kinematografike e Kosovës ia ka ndarë ekipit të filmit 15 mijë
euro për fushatën drejt “Oscarit”, që ishte edhe për pesë 5 mijë euro më pak
sesa për kandidatët e viteve të kaluara.
Ekipi i filmit kishte bërë fushatë për rrëfimin e traumave
të pasluftës. Premiera botërore e “Zanës” ishte dhënë më 7 shtator në
Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Toronto. Është një dramë ku personazhet
përplasen me forca mistike, ankthe, besëtytni dhe magji. Filmi shpërfaq
historinë e Lumes (Adriana Matoshi) dhe burrit të saj Ilirit (Astrit Kabashi).
Lumja e ndjekur nga ankthet e natës dhe nga dështimet e shtatzënësisë dërgohet
te magjistarë të ndryshëm ritualesh të pazakonshme me qëllim që ta shërojnë nga
magjia e zezë, mirëpo kur ajo mbetet shtatzënë, kujtime të errëta nga koha e
luftës do të kthehen duke i ndjekur atë dhe fëmijën e palindur.
“Zana” ishte bërë kandidat i Kosovës për “Oscar” pas garës që kishte me filmin “Shpija e Agës”, nën regji të Lendita Zeqirajt, “Nëntor i ftohtë” të Ismet Sijarinës, dhe “Një rrëfim Prishtinë”, nën regji të Burbuqe Berishës. Juria në përbërje të procentit Fatos Berisha, si kryesues, dhe anëtarëve Doruntina Basha, skenariste, Shkumbin Istrefi, aktor e producent, regjisores More Raça, skenaristit e producentit Visar Krusha, dhe skenaristit e dramaturgut Jeton Neziraj, e vlerësuan filmin e Kastratit më shumë sesa tre konkurrentët e tjerë.
Suksesi më i madh kinematografik i Kosovës në “Oscars” mbetet ai i vitit 2016 me nominimin e filmit të shkurtër britaniko-kosovar “Shok”, në kategorinë “Live Action Short Film”.