18:22 / E Hënë, 06 Gusht 2018 / indeksADMonline

Filoniti te rivali lokal, ‘Intelektualët’ tallen me ‘Skifterat’

Transferi më i ri i Dritës është futbollisti i deritanishëm nga rivali lokal Gjilani, Filonit Shaqiri.

Kf.Drita ka arritur marrëveshje me mesfushorin Filonit Shaqiri, i cili nga sot i është bashkuar bardhë e kaltërve.

Duke e ditur rivalitetin në qytetin e Gjilanit, Filoniti me vite ka mbrojtur ngjyrat kuq e bardhë, ndërsa meqë vjen nga ky qytet, karrierën e ka nisur pikërisht tek Kf.Gjilani, transmeton Indeksonline.

Prandaj, lidhja është e pashmangshme me klubin dhe tifozët ‘Skifterat’,  por duket se Filoniti i ka ‘harruar’ të gjitha.

Sidoqoftë, tashmë te kampioni i Kosovës, Drita, ka ambicie të reja dhe pritet të shihet nëse profesionalizmi i tij do të mposht ‘dashurinë e vjetër’.

Në postimin zyrtar të Dritës në Facebook, kanë shpërthyer komentet nga sportdashësit e përkrahësit e Dritës, të cilët me shaka të ndryshme kanë ‘thumbuar’ rivalin lokal.

“Ja kan msy kejt ekipen mi jav ble hahahahahah”, ndërsa një tjetër shkruante: “edhe bagerat kena mi ja ble atyne”.

Shumica nga komentuesit e kanë vlerësuar si prurje të qëlluar, duke i dëshiruar suksese futbollistit dhe klubit./Indeksonline/