Finalja e Eurovisionit nesër, ja si dhe kur mund të votoni për Shqipërinë nga Kosova

Nesër mbahet finalja e madhe e Eurovision Song Contest në Basel të Zvicrës. Shqipëria përfaqësohet në finale nga Shkodra Elektronike me këngën ‘Zjerm’.
Pritshmëritë këtë vit për Shqipërinë janë goxha të mëdha, pasi publiku europian duket se e ka pranuar shumë mirë këngën e Shkodrës Elektronike dhe performancën e dyshes Beatriçe Gjergji dhe Kolë Laca.
Në finalen e madhe nesër, Shqipëria do të perfomojë e fundit me radhë, pra do ta përmbyllë garën e Eurovisionit me performancën numër 26.
Fansat nga Kosova dhe nga e gjithë bota kanë të drejtë të votojnë, ndonëse shtetet e tyre nuk marrin pjesë në këtë ngjarje.
Nga Kosova mund të votoni përmes linkut www.esc.vote prej pas mesnatës të shtunën e deri në momentin kur fillon shfaqja e finales në orën 21. Pastaj, televotimi do të hapet përsëri pak para se të fillojë kënga e parë dhe do të mbarojë rreth 40 minuta pas përfundimit të këngës së fundit, që në këtë rast është Shqipëria me Shkodrën Elektronike.
Krejt çka nevojitet për votim është të hyni në link, të shikoni deri në fund videon e shkurtër ku paraqiten këngët finaliste, e pastaj të zgjedhni se për cilin shtet votoni. Secila votë kushton 99 cent dhe mund t’i jepni deri në 20 vota, qoftë për këngën e njëjtë, qoftë edhe për këngë të tjera.
Shqipëria ka gjasa që të performojë shumë mirë në tabelën e pikëve. Sipas kompanive të basteve, sado që këto nuk është se ia qëllojnë gjithmonë, Shqipëria është e nënta nga gjithsej 26 finalistë. Por, në sondazhin zyrtar të Eurovision (votoni duke klikuar këtu), Shqipëria është e katërta me më së shumti vota