08:07 / E Shtunë, 25 Maj 2019 / indeksADMonline

Finalja e Ligës së Kampionëve ‘bëhet sherr’ për dasmën e çiftit anglez

Dita e dasmës e lënë më 1 qershor ka hapur telashe të mëdha për një çift në Britaninë e Madhe dhe sherri tashmë ka pushtuar forumet dhe rrjetet sociale.

Dasma është planifikuar në të njëjtën ditë me ndeshjen e madhe finale Liverpool-Tottenham në Ligën e Kampionëve.

Të ftuarit e shumtë në dasmë shpresojnë se gjatë kohës që martojnë shokun e tyre do të mund të shohin edhe ndeshjen e futbollit.

Nusja sigurisht që nuk është aspak dakord dhe është kujdesur deri në detaj që për asnjë moment dasmorëve të mos u jepet mundësia të shohin ndeshjen. Ajo u kërkoi 200 të ftuarve që në mënyrë kategorike të respektohet dasma dhe të mos i kushtojnë rëndësi ndeshjes as në telefon, transmeton TCH.

Pjesa më e madhe e të ftuarve janë tifozë të Liverpoolit dhe sigurisht që nuk duan ta humbasin ndeshjen, përfshirë dhe dhëndrin, përcjell albinfo.ch.

Në postimin e forumit “Mumsnet” ka pasur reagime të ndryshme, ku pak ndanin të njëjtën shqetësim me nusen për të mos e prishur ditën e dasmës, të tjerë ishin të mendimit që të ftuarit nuk mund t’i vësh përballë një zgjedhjeje kaq të vështirë aq më shumë nëse ata janë tifozë.

Ndërsa për disa komentues zgjidhja praktike e kësaj situate është vendosja e një televizori pranë mjediseve ku do të organizohet dasma në mënyrë që të ftuarit t’i shijonin të dyja së bashku, ndeshjen dhe dasmën. Por nusja nuk toleron as në këtë pikë.