13:25 / E Diele, 15 Maj 2022 / MSH

Finlanda zyrtarizon kërkesën për anëtarësim në NATO

Presidenti finlandez, Sauli Niinisto, gjatë një konference për shtyp, ka zyrtarizuar kërkesën e Helsinkit për të hyrë në NATO.

Vendimi vjen një ditë pasi Niinisto i kishte qartësuar vendimin presidentit rus Vladimir Putin, gjatë një bisedë telefonike të cilësuar si “e qetë”.

Kjo iniciativë e Finlandës vije gjithashtu në kulmin e konfliktit në Ukrainë, me Helsinkin që ka frikë se mund të jetë objektivi i radhës së Kremlinit, dhe ku nuk kanë munguar provokimet.

Një zyrtar i lartë rus kërcënoi se me armët bërthamore që disponon Rusia, mund ta “rrafshojë” Finlandën për 10 sekonda.

Që prej nisjes së pushtimit të Ukrainës nga Rusia, mbështetja publike për futjen në NATO në Finlandë është rritur nga 30 në 80%.

Pasi të jenë ndjekur hapat ligjorë, NATO do të ftojë zyrtarisht Finlandën që të nisë bisedimet.

Ftesë pritet të marrë edhe Suedia, vend fqinj me Finlandën.

Rusia i ka paralajmëruar të dyja shtetet që të mos bashkohen me NATO-n pasi kjo do të ketë pasoja.