75 Mall Live Search
17:26 / E Hënë, 09 Prill 2018 / indeksADMonline

Fisnik Ismaili deklarohet për tentimin e LDK-së për ta rrëzuar Qeverinë “Haradinaj”

Grupi i Deputetëve të Pavarur, i përbërë nga 12 deputetë do e përkrahë mocionin për rrëzimin e Qeverisë “Haradinaj”. Kështu të paktën ishte shprehur deputeti Dardan Sejdiu javë më parë.

Megjithatë, dilema për një mocion të tillë ka hedhur deputeti Fisnik Ismaili. Sipas tij, Lidhja Demokratike e Kosovës ka ndryshuar disa herë qëndrim.

“LDK-ja qe tri herë po i ndërron qëndrimet. Edhe ne jemi deklaruar për atë punë. Dardan Sejdiu ka folur në emër të Grupit, ai është qëndrimi zyrtar”, ka thënë shkurtimisht ai për “Indeksonline”.

Ismaili shumësin e qëndrimit të LDK-së ia ka referuar deklaratave të lloj-llojshme të dala nga krerët e kësaj partie.

Ishte shefi i Grupit Parlamentar, Avdullah Hoti ai që kishte thënë se Qeveria e Ramush Haradinajt duhet të dorëhiqet, ose do bie me mocion.

“Unë po çuditem kur e thonë se qeveria është stabile, në kushte normale ata duhet menjëherë të dalin para kuvendit dhe të japin dorëheqje”, kishte deklaruar Hoti, shkruan Indeksonline.

Ai kishte vlerësuar se është e rëndësishme që të dakordohen për datën e zgjedhjeve dhe se nëse kjo nuk ndodh, atëherë do të detyrohen të dërgojnë para mocionin për rrëzimin e Qeverisë.

Në anën tjetër, mocionin e ka përmendur edhe sekretari i LDK-së, Ismet Beqiri. Por, ky i fundit ka lënë të hapur edhe një opsion, atë të formimit të një Qeverie teknike.

“1.NJË QEVERI TEKNIKE për 6 muaj,kohë kjo e nevojshme për të kryer ndonjë punë madhore shtetërore dhe kohë e mjaftueshme për përgaditjen dhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja Parlamentare ose 2.MOCION MOSBESIMI ndaj qeverisë dhe zgjedhje të jashtëzakonshme”, kishte deklaruar ai./Indeksonline/