11:34 / E Mërkurë, 15 Shkurt 2023 / B O

Fitorja e madhe e njeriut që i bëri ballë mafies së ndërtimit: Asnjë ndërtesë nuk u shemb nga tërmeti në qytetin e tij!

Në mes të provincës turke të Hatajit, e cila nga tërmeti u shndërrua në grumbuj rrënojash nën të cilat vdiqën dhjetëra mijëra njerëz, qëndron një qytet.

Quhet Erzin, ka 42 mijë banorë dhe në këtë kataklizëm nuk pati asnjë viktimë dhe asnjë godinë të shembur.

Në asnjë nga seritë e tërmeteve të tmerrshme turke, dy prej të cilëve ishin katastrofikë 7.8 dhe 7.6 të shkallës Rihter, në Erzin nuk u shemb asnjë ndërtesë banimi: u dëmtuan vetëm disa shtëpi familjare dhe disa minare në xhami. Nuk pati asnjë viktimë, askush nuk u plagos rëndë, raportojnë shumë media në Truqi, si Hurriyet.

Sekreti i qytetit që i mbijetoi një prej lëkundjeve më të tmerrshme të tokës në historinë e fundit është jashtëzakonisht i rëndësishëm: kryebashkiaku i tij Ökkeş Elmasoğlu është një armik i gjatë dhe jashtëzakonisht i suksesshëm i të gjitha ndërtimeve të paligjshme.

Duke theksuar se që nga fillimi i funksionit të tij publik, në asnjë mënyrë nuk ka lejuar ndërtime pa leje, Ökkeş Elmasoğlu tha për mediat turke se shumë bashkëqytetarë të tij më herët janë habitur, tallur, madje edhe kërcënuar.

“Kur inatosen me mua si kryetar bashkie, shpesh më thoshin: “A nuk ka njeri tjetër të denjë përveç teje në këtë vend? Pse je i vetmi që i përmbahesh rregullave me këmbëngulje?’ Nuk kanë kaluar as tre muaj që jam zgjedhur në detyrë dhe më ka ardhur një i afërm me kërkesën për ta ndihmuar sepse është gjobitur për ndërtim pa leje. Kur i thashë se nuk mund ta ndihmoja, më pyeti nëse isha i vetmi njeri i ndershëm në gjithë Turqinë? – kujton kryebashkiaku i Erzinës.

Madje, ai vazhdon të theksojë se ndërtimet pa leje nuk mund të ndalen kurrë plotësisht, derisa të ndodhë “ndryshimi i mentalitetit” të nevojshëm në nivel të gjithë shoqërisë.

“Në Erzin kishte edhe nga ata që me gjithë veprimet tona tentuan me këmbëngulje të ndërtonin pa leje. Edhe pse në fillim nuk mund t’i ndiqnim sepse nuk kishim staf të mjaftueshëm, më vonë i denoncuam menjëherë në prokurori dhe u mor vendimi për rrënim. Është e nevojshme që qytetarët tanë të mos presin kurrë asnjë lëshim nga shteti për ndërtimet pa leje për të mos u drejtuar në nisma të tilla, po ashtu nevojiten hapa të vendosur për prishjen e objekteve të tilla, sa herë që është e nevojshme”, vijon ai të apelojë në ndërgjegjen e qytetarëve. /MeteoBallkan/