Fitorja e Merz në zgjedhje, Dreshaj e quan sinjal të fortë për Evropën dhe Ballkanin

Ish-deputeti i Kosovës njëkohësisht edhe njëriu i afërt me politiken gjermane, Gani Dreshaj, ka reaguar në lidhje me fitoren e Friedrich Merz dhe CDU-së në zgjedhjet në Gjermani.
Dreshaj, është shprehur se pjesmarrja e lartë e qytetarëve në zgjedhje është një sinjal i fortë për Gjermaninë, Evropën dhe Ballkanin.
“Merz si fitues i zgjedhjeve: Pjesëmarrja e lartë në zgjedhje dërgon një sinjal të fortë për Gjermaninë, Evropën dhe Ballkanin
Pjesëmarrja e lartë në zgjedhje në kohë krizash tregon vendosmërinë e qytetarëve të Gjermanisë për të marrë përgjegjësinë për të ardhmen. Me fitoren e qartë të Friedrich Merz, u dha një mesazh i fuqishëm – për një Gjermani të fortë, një Evropë të bashkuar dhe një zhvillim të qëndrueshëm në Ballkan”, ka thënë Dreshaj.
Ndërsa tutje theksoi se zgjedhjet treguan se populli gjerman ka marrë një drejtim të qartë politik.
“Tani është koha për të zbatuar së bashku objektivat e formuluara dhe për të ndërmarrë hapa konkretë për zgjidhje. Zgjedhjet treguan se populli gjerman ka marrë një drejtim të qartë politik. Ky sinjal tani duhet të përcillet në mbarë botën për të promovuar stabilitetin, rritjen dhe bashkëpunimin në nivel ndërkombëtar”, tha Dreshaj./IndeksOnline/