Fituesja e Nobelit për Paqe dënohet me 4 vjet burg për ‘nxitje të trazirave’

Një gjykatë në Myanmar dënoi këtë të hënë ish-udhëheqësen e qeverisë civile Aung San Suu Kyi me katër vjet burg për nxitje të trazirave publike dhe shkelje të rregullave shëndetësore në lidhje me Covid-19.
Fituesja e çmimit Nobel për Paqe, qeveria e së cilës u rrëzua nga ushtria në shkurt, u dënua me dy vjet burg sipas nenit 505 (b) dhe dy vjet burgim sipas Aktit të Fatkeqësive Natyrore, tha Zaw Min Tun, një zëdhënës i juntës ushtarake të vendit.
Një vit më parë, partia e saj Lidhja Kombëtare për Demokraci fitoi zgjedhjet, gjë që e riktheu atë dhe partinë e saj në detyrë për një mandat të dytë pesëvjeçar radhazi pas dekadash sundimi të dominuar nga ushtria.
Ushtria rimori pushtetin më 1 shkurt, duke arrestuar Suu Kyin dhe shumë të tjerë dhe duke e zhytur Myanmar-in në trazira pas një periudhe të shkurtër stabiliteti dhe premtimesh për më shumë demokraci.
Karriera e Suu Kyi-t ka patur momente ekstreme, nga nivelet më të larta – fitimi i çmimit Nobel për Paqe – deri te momentet më të ulëta, 15 vjet në arrest shtëpie gjatë qeverisë së mëparshme ushtarake.
Suu Kyi u martua me studiuesin e Universitetit të Oksfordit, Michael Aris, me të cilin pati dy djem.
Ajo u bë pjesë e politikës në vitin 1988 kur u kthye në atdhe për t’u kujdesur për nënën e saj, teksa protestat e mëdha shpërthyen kundër diktaturës ushtarake të Ne Win. Ajo ndihmoi në themelimin e Lidhjes Kombëtare për Demokraci, por në vitin 1989 kur u dënua me arrest shtëpie. Ajo kaloi 15 vjet në arrest shtëpie.
Fama e saj u përhap në vitin 1991 kur iu dha Çmimi Nobel për Paqe, për luftën jo të dhunshme për demokracinë dhe të drejtat e njeriut. “Lufta” e Suu Kyi-t u konsiderua një nga shembujt më të jashtëzakonshëm të guximit civil në Azi në dekadat e fundit. Ajo u bë një simbol i rëndësishëm në luftën kundër shtypjes, u shpreh asokohe Komiteti Norvegjez i Nobelit.
Megjithatë u deshën 21 vjet derisa të kishte një vend në zgjedhjet e pjesshme parlamentare. Një fitore në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2015 e vendosi partinë e saj në pushtet. E ndaluar të bëhej presidente sipas rregullave kushtetuese të hartuara nga ushtria, u krijua posti i këshilltares shtetërore për ta lejuar atë të bëhej udhëheqëse e vendit.
Në zgjedhjet e përgjithshme të nëntorit 2020, partia e saj fitoi edhe më shumë vende se sa pesë vjet më parë. Por ushtria e kundërshtoi votimin dhe e rrëzuan nga pushteti.