Fituesja shqiptare e Big Brother: Fitova 100 milionë, por isha e mërzitur
Big Brother Albania 4 do të mbahet mend në historinë e këtij formati, sepse për herë të parë fitues ishte një grua. Kjo gjë u përsërit sërish dhe në një edicion tjetër, por fituesja e parë, Ermela Mezuraj ka qenë padyshim një nga konkurentet më të preferuara të publikut për vite në këtë reality-show.
Për këtë arsye kurioziteti ka qenë i madh nga njerëzit, pse ajo zgjodhi të qëndrojë larg vëmendjes mediatike, ose më thjesht akoma “pse u zhduk?”. E ftuar pasditen e djeshme në “Ftesë në 5”, Ermela zbuloi se në fakt pas përfundimit të Big Brother kishte kaluar një periudhë vërtetë traumatike dhe që për vite me rradhë nuk e kishte kaluar:
“As vetë nuk e di çfarë ndodhi pas 2011 por di që ndodhi një shëndrrim i madh. Mund të them ishte si një lloj traume për mirë, por ndonjëherë lajmet e mira rëndojnë më shumë se problemet apo fatkeqësitë, sepse kur të bie një hall ke me kë e ndan dhe dikush tjetër të kupton cafrë problemi ke. Si ti shpjegoja njerëzve që kam 100 milionë lekë në bankë, jam shumë e famshme dhe jam shumë e mërzitur për këtë?”- shpjegon ish-banorja e Big Brother, ndërkohë që pranon se e ka përjetuar keq periudhën pas reality-t dhe ju desh të rikuperohej, në mënyrë që të gjente balancat e brendshme të vetes së saj:
“Ishte një proçes i çuditshëm dhe jam e mërzitur me veten sepse nuk e prisja të ndodhte kështu. Njerëzit pyesin “Ku ka qenë Ermela?”. Gjithë këto vite kam qenë në kërkim të vetes. Ajo që kam bërë gabim është se pyesja veten “Po tani, çfarë duan njerëzit nga unë?”, ndërkohë që pyetja që duhet të bëja ishte “Çfarë dua unë nga vetja ime?”. Dhe derisa i dhashë përgjgije kësaj pyetje, unë kam qenë në një lloj tranzicioni për gjithë këto vite.”
Në përfundim të shpjegimit ajo rrëfen se më në fund e kuptoi dhe atë që donte: “Unë kuptova se mua më pëlqen jeta e thjeshtë, më pëlqejnë njerëzit që më duan për atë që jam dhe jo për atë që do doja të bëhesha, më pëlqen thjeshtësia e njerëzve që ta shprehin dashurinë duke të parë në sy dhe jo nëpërmjet komenteve në Instagram.”