75 Mall Live Search
14:51 / E Premte, 13 Shkurt 2026 / Z S

Fjala e fundit për Krasniqin, avokatja: Lejojeni këtë zotëri 75-vjeçar të kthehet te familja e vet!

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, avokatja e mbrojtjes, Venkateswari Alagendra, ka nisur fjalën përfundimtare në rastin ndaj Jakup Krasniqi, duke kërkuar nga trupi gjykues shpalljen e tij të pafajshëm.

Para gjykatës, Alagendra deklaroi se shumë nga pretendimet e përfshira në raportet e mëhershme kanë qenë, sipas saj, “hiperbolike” dhe nuk kanë çuar në ngritjen e akuzave konkrete.

Ajo theksoi se në këtë proces gjyqësor nuk ekziston asnjë akuzë për trafikim organesh dhe se, sipas saj, raportet e përmendura nuk përfshijnë pretendime për vepra penale të kryera nga Krasniqi, raporton Klankosova.tv.

“Shumë prej pretendimeve hiperbolike të përfshira në atë raport nuk kanë çuar në ngritjen e akuzave. Siç e dini, nuk keni asnjë akuzë për trafikim organesh këtu para kësaj gjykate, dhe ky raport nuk përfshin asnjë pretendim për vepër penale të kryer nga Jakup Krasniqi.

Një gjë është e qartë, para pesë vitesh, Jakup Krasniqi është arrestuar dhe i është hequr liria. Ai ka qëndruar në objektin e paraburgimit për 1,126 ditë, larg bashkëshortes së tij, katër fëmijëve dhe njëmbëdhjetë nipërve e mbesave.

Ne me respekt parashtrojmë që ju, i nderuar gjykatës, të merrni vendim pafajësie për të gjitha akuzat e ngritura ndaj Jakup Krasniqit. Në fund të parashtrimit do t’ju bëjmë thirrje që, duke u mbështetur në prova, ta shpallni të pafajshëm z. Krasniqin. Lejojeni këtë 75-vjeçar të kthehet te familja e tij dhe të kalojë vitet që i ka caktuar Zoti pranë familjes”, tha Alagendra./Indeksonline/