21:45 / E Premte, 27 Prill 2018 / indeksADMonline

Fjala e presidentit të Shqipërisë në samitin Brdo-Brijone

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, mori pjesë sot në samitin e radhës së Krerëve të Shteteve të Procesit të Brdo-Brijone, që u zhvillua në Shkup të Maqedonisë.

Në fjalën e tij, Presidenti Meta vlerësoi ndër të tjera se, së bashku kemi shfrytëzuar çdo moment për t’u angazhuar në një dialog të drejtpërdrejtë, megjithëqë jo gjithmonë kemi rënë dakord.

Duke iu referuar ambicies së përbashkët të integrimit evropian për krijimin e një klime të besimit reciprok dhe të mirëkuptimit, Presidenti Meta, theksoi gjithashtu se, fatkeqësisht, në muajt e fundit kemi parë kthim mbrapa te retorikat dhe veprimet provokuese, të cilat sidoqoftë kanë qenë të izoluara.

“Kreu i Shtetit shprehu mbështetjen e ambicies për integrimin në NATO për të gjitha vendet e rajonit që e aspirojnë dhe nënvizoi se anëtarësimi i Shqipërisë në Aleancën Transatlantike nuk është kundër ndonjë vendi tjetër në rajon, por për të forcuar arkitekturën e sigurisë së rajonit, që ende është i paqëndrueshëm”, thuhet në njoftimin e zyrës së presidentit të Shqipërisë.

Meta po ashtu citohet të ketë shprehur shqetësimin për presionin e intensifikuar nga aktorë jashtë rajonit që shoqërohet me retorikë kundra NATO-s dhe BE-së dhe që synon të destabilizojë rajonin.

“Presidenti Meta bëri thirrje për një vëmendje dhe angazhim më të madh e të koordinuar të BE dhe NATO-s, në funksion të një perspektive të qartë evropiane, si dhe për një mbështetje efektive politike, ekonomike dhe financiare për ta realizuar këtë perspektivë në një kohë sa më të shkurtër”, thuhet në njoftimin për media.

Duke u ndalur tek procesi i integrimit evropian, Presidenti Meta theksoi se integrimi i rajonit në BE nuk është vetëm një ambicie e përbashkët por garantuesi më i mirë i paqes, stabiliteti dhe prosperitetit, në interes të rajonit, por dhe në interesin më të mirë të vetë Bashkimit Evropian.

Samiti i ardhshëm i Procesit të Brdo-Brijone do të organizohet nga Presidenti Meta në Shqipëri, gjatë vitit 2019.