75 Mall Live Search
12:50 / E Martë, 23 Qershor 2020 / indeksADMonline

Fjala “koti” përplas deputetët

Deputeti i LVV-së, Artan Abrashi, e ka quajtur Qeverinë e Kosovës, Qeveri “Koti”, për çka ka ngjallur debat midis deputetëve të LDK-së dhe kryetares së Kuvendit, Vjosa Osmani.

Deputeti Abrashi, teksa ishte duke folur për votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare financiare, tha se ekziston një pengesë, e që tha se është Qeveria “Koti”.

“Po akuzoni LVV-në që nuk i mbështet projektet apo vendimet të cilat kanë synim ndihmën ekonomike të qytetarëve në një kohë të vështirë. Dakord, LVV-ja mund t’i votojë të gjitha këto marrëveshje, por edhe ju e dini që ekziston një pengesë e patejkalueshme dhe ajo quhet Qeveria ilegale “Koti”. Nëse më të vërtetë e keni synim dhe përnjëmend interesin e qytetarëve të Republikës së Kosovës për me i kalue këto marrëveshje, atëherë hajdeni dëshmojeni. Le të dalë sot i ashtuquajturi kryeministri Hoti le të thotë këtu në foltore që unë jap dorëheqje aman kalojeni për hir të interesit të qytetarëve, sot e keni votën e LVV-së”, tha ai.

E etiketimi si Qeveri “Koti”, ka ngjallur reagimin e LDK-së. Shefi i Grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, ka kërkuar që deputeti Abrashi ta tërheqë fjalën ose të përjashtohet nga seanca.

“E nderuara kryesuese e seancës kërkoj nga ju që të jeni e vëmendshme dhe të respektoni rregulloren. Gjuha jo parlamentare që po përdoret këtu që u përdor nga parafolësi është gjuhë ofenduese dhe është gjuhë e dënueshme. Prandaj, kërkoi nga ju që t’i kërkoni deputetit Abrashi që ta tërheqë fjalën e vet ose ndryshe të përjashtohet nga seanca, sepse ka përdorur gjuhë ofenduese dhe denigruese ndaj kryeministrit, pra duke e quajtur kryeministër “koti” që përbën ofendim të kryeministrit dhe kjo fjalë duhet të tërhiqet dhe të kërkoi falje, ndryshe duhet të përjashtohet nga seanca për këtë shkelje.

Deputeti i LVV-së, Artan Abrashi, tha se ai është deputeti i LVV-së dhe nuk mund t’ia ndalë askush fjalën.

“Unë nuk jam deputet i LDK-së të cilin ti sot mundesh me qitë prej salle dhe me ma mbyllë gojën edhe me ma ushtrue diktatin politik e antidemokratik të LDK-së. Unë jam deputet i LVV-së, këtë mos e harro”, tha ai.

Prapë ka reaguar deputeti i LDK-së Arben Gashi, i cili tha se ka kërkuar që të iniciohet mocion procedural ndaj deputetit Abrashi.

“Unë propozova mocion procedural dhe kërkoi që kjo të hidhet në votim. Deputeti parafolës përdor gjuhë denigruese dhe fyese dhe nëse ai nuk është në gjendje me u edukue dhe vetë edukua, nëse nuk është në gjendje me u përmbajte atëherë ka procedura dhe rregulla që e edukojnë”, tha ai.

Në mbrojtje deputetit të LVV-së, Artan Abrashi, i ka dalë shefi i Grupit parlamentar të LVV-së, Rexhep Selimi, i cili edhe ai e quajti Qeveri “Koti”.

“Fjala koti nuk është gjuhë joparlmentare. Në radhë të dytë deputeti Abrashi foli shumë mirë, madje e inkurajoj që të vazhdojë kështu siç ka nisur. Në radhë të tretë edhe unë mendoj se Qeveria aktuale ilegale dhe ilegjitime është “koti”. Sa herë të reagoni do t’jua përsërisim kotësinë tuaj në këtë qeveri. Prandaj, as që duhet dikujt t’i shkojë në mendje që mund t’i qesë deputetë të LVV-së nga salla, harrojeni, harrojeni!”, tha ai.

Shefi i Grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, i ka lexuar nenin 41 të rregullores së punës së Kuvendit kryetares së Kuvendit.

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se do të kërkojë nga Komisioni për legjislacion që ta trajtojë edhe çështjet e rregullores dhe të konstaton në qoftë se fjala “koti” është shkelje apo gjuhë jo parlamentare.

“Në momentin që ai Komision e konstaton një gjë të tillë, atëherë unë do të kem mundësi që t’ua ndaloj deputetëve që ta përdorin. Por, në të njëjtën kohë do të kërkoj, sepse kishte këtu më shumë se 20 dëshmitarë që ta konstatoj në qoftë se bërtitma juaj në raport me mua, kur më thatë: “A je normal” të konstatohet se a është shkelje apo jo. Sepse, duhet të respektohet autoriteti i kryetares së Kuvendit, e filloni bëjen këtë së pari. Pra, do të kërkoj nga komisioni përkatës që ta shqyrtojë këtë çështje… Meqenëse unë nuk po dua ta bëj interpretimin final, në qoftë se fjala “koti” është shkelje parlamentare apo jo, atëherë unë do të kërkoj nga komisioni që ta bëjë këtë interpretim dhe nëse komisioni përkatës konstaton që ajo fjalë është shkelje si mbiemër i individit, atëherë natyrisht se unë prej asaj seance e tutje nuk do ta ndaloj ”, theksoi Osmani.

Në këtë debat u përfshi edhe nënkryetari i Kuvendit nga PDK-ja, Memli Krasniqi, i cili tha se Qeveri “Koti” është edhe ajo midis LVV-së dhe LDK-së

“Realisht Qeveri ‘Koti’ është edhe kjo edhe ajo para kësaj. Ai definicioni i fjalorit shqip sidomos Qeverisë së LVV-së dhe LDK-së u përshtatet më shumë sesa Qeverisë së LDK-së me të tjerët”, tha ai.

Debati për marrëveshjet ndërkombëtare ende po vazhdon.