“Fjalë japin, punë s’po kryejnë” – Nesër, afati i premtuar punëtorëve të QKUK për zgjidhje

Kësaj radhe janë më të pakët në numër, pasi shumica e tyre nuk kanë kushte financiare për të udhëtuar.
Punëtorët e sigurimit fizik të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës kanë mbetur në mëshirën e menaxhmentit, në pritje të një kontrate të re.
Dy ditë më parë në takimin e mbajtur me drejtorin, punëtorëve u është premtuar se një zgjidhje do arrihet deri të premten.
Por një ditë para këtij afati, ata nuk shprehen optimist.
“Shtirë u bo për neve, ton ditën e lume në pllaka po rrimë këtu. Shtirë është boll po krejt kemi dalë për një kafshatë bukës me majt familje. E dini që ka plot sene te shtëpia. Është rryma, bërllogu, uji, nuk po mundemi me ia dal. Kemi kredi, s’kemi kah t’ia mbajmë se bankat po thërrasin çdo ditë Shpresat s’po i hupim, thonë me hup shpresën, e humb jetën po tu shpresu jemi. Fjalë po na japin po punë s’po kryejnë, një muj ditë. Na kanë thanë që për dy ditë zgjidhet kjo çështje. Kurgjo s’po zgjidhet”, ka thënë Hajriz Qeriqi, ish-punëtor i sigurimit në QKUK.
Gjatë së mërkures, me drejtorin e QKUK-së është takuar Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, por jo edhe me punëtorët por këta të fundit, kërkesën e njëjtë e kanë edhe për të.
“… Kërkojmë nga Ministri kthimin në punë. Nëse na thotë edhe një muaj, edhe dy, 280 punëtor rrini qysh jeni se kthehni në punë, ne s’bëjmë grevë, mbijetojmë ata muaj dhe kthehemi”, ka thënë Hakif Sylejmani, përfaqësues i punëtorëve grevist.
Rruga tek një kontratë e shpejtë, sipas njohëve të fushës së prokurimit, ekziston – përmes një prej formave që së voni është vënë në thumb të kritikave, për përdorim të shpeshtë.
“Kohëzgjatja për lidhjen e një kontratë te re nga koha e inicimit varet nga procedura që përdor autoriteti kontraktues, në këtë rast ShSKUK-ja. Në qoftë se ky autoritet, vendos të përdor procedurën e negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë, që njihet edhe si kontrata një burimore, atëherë i gjithë procesi mund të përshpejtohet për disa ditë, pasi autoriteti kontraktues mund të nënshkruaj kontratën pa kaluar periudhat kohore të ankesave, që janë ankesat në shkallë të parë që parashihen 5 ditë kohë dhe ankesat potenciale në Organin Shqyrtues të Prokurimit, për të cilat ligji parasheh një dritare prej 10 ditëve për parashtrim pas refuzimit të ankesës në shkallën e parë. Pra, koha e lidhjes së një kontrate të re, varion varësisht nga procedura që ndjek autoriteti kontraktues, por ekziston mundësia në raste të emergjencave të jashtëzakonshme, që nuk janë krijuar si rezultat i veprimeve neglizhente ose të qëllimta, apo lëshimeve të autoritetit kontraktues që të përdoret kontrata një burimore”, ka thënë Ardit Dragusha, nga “Demokracia Plus”.
Kontratë njëburimore QKUK kishte pasur edhe me kompaninë paraprake pjestarë të cilës ishin këta punëtorë në mars të këtij viti por që u shfuqizua nga OSHP në qershor të këtij viti
Megjithatë, SHSKUK nuk i është përgjigjur interesimit të Dukagjinit rreth formës që po zhvillohet procedura dhe në çfarë faze mbetet ajo./Indeksonline/