75 Mall Live Search
18:02 / E Mërkurë, 27 Shkurt 2019 / indeksADMonline

Fjalët e para të Ramush Haradinajt pas takimit me zyrtarët amerikanë dhe presidentin Thaçi

Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj ka komentuar përmes një postimi në Facebook takimin që pati me përfaqësuesit e lartë të Këshillit Kombëtar të Sigurisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku i pranishëm ishte edhe presidenti, Hashim Thaçi.

Haradinaj në këtë takim ka thënë se Kosova është e gatshme për marrëveshje ligjërisht obliguese që rezulton me njohje reciproke në kufijtë ekzistues dhe Kosovën e 17 Shkurtit 2008.

Ndërsa shteti ynë është i vendosur për tregti të lirë brenda rajonit, duke përfshirë kapitullin e tregtisë së lirë edhe me Serbinë.

Ky është shkrimi i plotë i kryeministrit që ka bërë në faqen e tij Facebook në lidhje me takimin në fjalë:

Në takim me përfaqësuesit e lartë të Këshillit Kombëtar të Sigurisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, John Erath dhe Brad Berkley, së bashku me presidentin e vendit tonë, theksova se Republika e Kosovës është e angazhuar në mënyrë të pakthyeshme për të forcuar demokracinë dhe institucionet e saj.

Kosova është e gatshme për marrëveshje ligjërisht obliguese që rezulton me njohje reciproke në kufijtë ekzistues dhe Kosovën e 17 Shkurtit 2008. Poashtu, është e gatshme për marrjen e të drejtave dhe detyrimeve të anëtarësimit në NATO, Kombet e Bashkuara, BE dhe organizatat tjera ndërkombëtare dhe për marrëdhënie të mira fqinjësore.

Kosova është e vendosur për tregti të lirë brenda rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe marrëveshja gjithpërfshirëse ligjërisht obliguese do të përfshijë edhe rregullimin e kapitullit të tregtisë së lirë në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Gjithashtu, Kosova mbështetet në vlerat e një shoqërie shumetnike, të bazuar në të drejtat e njeriut për të gjithë qytetarët dhe komunitetet e saj. I mbetemi besnik miqësisë së përhershme dhe bashkërëndimit të politikave me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.