11:43 / E Martë, 22 Maj 2018 / indeksADMonline

Fjalët e prindërve të Antigona Morinës që vdiq nga gjakderdhja pas 3 ditësh martesë

Në vitin 2011, Bislim Morina, e martoi vajzën Antigonën me shkues (mësit). Por, martesa e saj me Hilmi Zenën nga fshati Malësi e Vogël, zgjati vetëm tri ditë. Sipas Prokurorisë, ajo vdiq si pasojë e gjakderdhjes që kishte pasur nga organet gjenitale, mbrëmjen e parë të martesës, në shtëpinë e burrit të saj ku kishte qëndruar mes datave 27, 28, 29 korrik të vitit 2011. Familja e së ndjerës në vazhdimësi po e akuzon ish-dhëndrin Hilmi Zena nga fshati Malësi e Vogël (ish-Radost), për vrasjen e së bijës. Ata po thonë se dhëndri bëri marrëdhënie seksuale me Antigonën, derisa ajo ishte në gjendje të keqe shëndetësore dhe kishte gjakderdhje të vazhdueshme. Gjykata fillimisht këtë rast e kishte cilësuar si të mbyllur, por pas plot 6 viteve, Apeli e ka kthyer rastin në rigjykim.

Kështu është bërë e ditur gjatë ditës së sotme nga  ana e Rrjetit të Grave të Kosovës.

“Gjykata e Apelit ka vendosur që rastin e Antigona Morinës, gruas e cila ka vdekur gjashtë vjet më parë tri ditë pasi që ishte martuar ta kthej në rigjykim”, thuhet në letrën e këtij grupi.

Për këtë rast është angazhuar avokaten Fehmije Gashi Bytyqi, si përfaqësuese e familjes së dëmtuar të Bislim Morinës.

Seanca e ardhshme për këtë rast është caktuar më datë 4 qershor. Por avokatja e familjes Morina ka kërkuar nga Gjykata Themelore e Gjakovës që të bëjë përjashtimin e gjyqtarit Mizahir Shabani nga udhëheqja penale kundër Hilmi Zenës.

“Kërkesa bazohet në dyshimet e arsyeshme në mos objektivitetin dhe paanshmërinë që ka shkaktuar gjyqtari në lidhje me rastin”, thuhet në një njoftim nga Rrjeti i Grave të Kosovës.

E për këtë rast, nga familja e së ndjerës Antigona Morina, muaj më parë kishin deklaruar për Gazetën Express, se ish-dhëndri, Hilmi Zena nga fshati Malësi e Vogël (ish-Radost), ua vrau të bijën. Kanë deklaruar se dhëndri bëri marrëdhënie seksuale me Antigonën, derisa ajo ishte në gjendje të keqe shëndetësore dhe kishte gjakderdhje të vazhdueshme.

“Unë them që çikën ma kanë vra për dy arsye. Te gjakderdhja një dhe, e dyta, çika me pas gjakderdhje dhe me pru në atë gjendje pa i ra të fikët nuk ishte ba. Ata në atë gjendje e kanë çu te shehu e jo te mjeku. Plus tri ditë e tri net ai ka përdorë seks në trup të saj. Ai (dhëndri Hilmu) e ka pranuar vetë në prokurori se ka bërë marrëdhënie seksuale me qef në ato tri ditë me çikën tem. Çikën tem ata kur e kanë pa në atë gjendje është dashtë që ta çojnë tek mjeku e jo te shehu”, kishte deklaruar babai i tashmë së ndjerës.

Por nga familja e të akuzuarit, Hilmiut, i kishin thënë Gazetës, se kjo punë është sqaruar para shumë viteve. Lidhur me këtë sipas tyre gjykata e kishte dhënë vendimin.

“Ne nuk kemi çfarë të bëjmë më. Dihet se kush është fajtori. Fajtori është prindi i saj i cili nuk e ka këqyrë më së pari te mjeku, me e këqyrë më së pari për problemet që i ka pas vajza. Unë dy vjet e gjysmë kam punuar në Austri në të zezën për këtë punë, me e martua vëllanë. 24 mijë euro më ka kushtuar e gjithë dasma. E pastaj ne me u kthy e me i bo këto vepra kjo është marri. I kemi pa deklaratat e fundit të familjes së vajzës. Kjo është marri se çka kanë ba ata. Ai pas 6 vjetëve këqyrë me nxjerrë përfitime, pare. Këtu krejt në pyetje janë paret”,  kishte thënë vëllai i Hilmiut.

Antigona Morina, kishte ndërruar jetë më 28 korrik, katër ditë pas martesës së saj me Hilmi Zenën. Sipas prokurorisë ajo kishte ndërruar jetë pas gjakderdhjeve që i ka pasur nga organet gjenitale mbrëmjen e parë të martesës në shtëpinë e burrit të saj në fshatin Malësi e Vogël, mes datave 25, 26 dhe 27.07.2011.