75 Mall Live Search
13:00 / E Diele, 02 Nëntor 2025 / B XH

Fjalimi emocional i bashkëshorës së Fatos Nanos: Faleminderit që më deshe dhe që e dhe gjithë veten tënde për mua dhe Shqipërinë

Bashkëshortja e Fatos Nanos, Xhoana, ka mbajtur fjalën në homazhet e zhvilluara në nder të ish-kryeministrit.

Gjatë fjalës së saj, Xhoana tha se Fatos Nano nuk ishte një njeri i zakonshëm, por një njeri që e jepte gjithë veten e tij për atë që donte dhe besonte, shkruan A2 CNN.

Ajo tha po ashtu se ishte me fat që e kishte njohur Nanon, teksa theksoi se tek ai hakmarrja dhe negativiteti nuk gjenin vend.

“Të dashur miq e dashamirës, i nderuar zoti kryeministër. Dita e sotme është për mua dita më e trishtuar dhe e errët e jetës. Po ndahem me njeriun me të cilin kalova çerek shekulli jetë dhe me të cilin më lidhën përveç dashurisë, shumë ëndrra dhe zhgënjime të përbashkëta. E tillë është kjo ditë edhe për fëmijët tanë. Këtu e çerek shekulli më parë, unë një vajzë fare e re, me intuitën e moshës së pafajshme, rashë në dashuri me Fatosin.

Atëherë nuk e kuptoja pse, por tani e kuptoj. Nuk kisha rënë në dashuri vetëm me Fatosin si person, por edhe me vizionin e një Shqipërie ndryshe, komplet tjetër nga ajo që jetonim asokohe. Të një Shqipërie që përherë e më shumë lipsej të largohej me urgjencë nga tradita e saj shekullore e barbarisë e primitivizmit dhe të fitonte një kurs tjetër, civil, modern dhe europian. Të gjitha këto do i gjeja te Fatosi. Nuk e kisha menduar me kaq qartësi atëherë, por ditë pas dite pata fatin që të zbuloja te Fatosi vlera dhe cilësi që nuk janë aq të shpeshta në jetën tonë, aq më pak në jetën politike. Fatosi ishte i vërtetë, nuk dinte të shtirej.

Ai bënte atë që besonte dhe besonte atë që bënte. Fatosi nuk ishte njeri i zakonshëm, ai nuk bënte asgjë përgjysmë, as punën, as miqësinë dhe as dashurinë. Hakmarrjen ai nuk pranonte ta njihte. Këtë e dëshmoi pas burgimit të padrejtë. Në emër të paqes sociale ai solli një frymë të re. Ishte i drejtpërdrejtë, ndonjëherë kokfortë dhe i vështirë. Ai nuk hoqi dorë për ta parë Shqipërinë më të drejtë. Faleminderit që më deshe dhe që më dhe mundësinë të të dua. Faleminderit që ishe ai që ishe. Faleminderit që e dhe veten tënde, të gjithën, për mua, për Shqipërinë”, tha mes të tjerash Xhoana Nano.