Fjalimi i parë si kryetar, Dimali shfaqet unifikues

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha, është zgjedhur kryetar i Kuvendit të Kosovës me 73 vota.
Ai ka marrë edhe votat e shumicës së deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.
Me këtë rast, ai është duke mbajtur një fjalim rasti, transmeton IndeksOnline.
“Fillimisht, faleminderit për besimin tuaj. Gjithashtu, dua ta shfrytëzoj këtë moment për të falënderuar Avni Deharin dhe Sala Jasharin për udhëheqjen e seancës. Falënderoj edhe kryetarin e legjislaturës së tetë, Glauk Konjufca, i cili e ka udhëhequr këtë institucion për katër vjet.
E ndjej përgjegjësinë e madhe që më është besuar”.
“Sot kjo republikë qëndron e pavarur edhe falë ndihmës së shteteve mike në krye me SHBA-në. Ka disa muaj që ky Kuvend është ballafaquar me një sfidë që nuk e ka parë më herët. Por mos harroni, që me gjithë betejat, besoj që ka qenë shkollë që i ka shërbyer demokracisë dhe emancipimit të shoqërisë”, ka thënë ai.
“Republika jonë është ndërtuar mbi sakrifica të panumërta, mbi gjakun, mundin dhe qëndrueshmërinë e atyre që besuan se e ardhmja e vendit ishte më e rëndësishme se jeta e tyre. Falënderim të veçantë për gratë dhe nënat tona që sakrifikuan,ato ishin dhe mbeten themeli i një shoqërie të vërtetë. Mos ta harrojmë kurrë mirësinë e Nënës Terezë, e cila na shërben si udhërrëfyese.Po ashtu, nderojmë nënën Zahide, nënën e Hamzës dhe Adem Jasharit.”Falenderojmë nënat e motrat për sakrificën”.
“Si kryetar i kuvendit, pres që të bëhemi bashkë, pres debat të hapur dhe respekt për njëri-tjetrin, dua të shoh kritika por edhe alternativa. Për një Kosovë më të drejtë dhe më të zhvilluar. Kosovën e kemi bashkë”, tha ai.Kërkojmë unitetin e politikanëve”, theksoi ai.