15:06 / E Martë, 01 Dhjetor 2020 / OSH

Fjolla Morina ‘përplas’ Prokurorinë e Kukësit

Fjolla Morina “përplas” Prokurorinë e Kukësit. Në dokumentin e siguruar nga Shqiptarja.com, mësohet se drejtuesja e kësaj prokurorie, Rita Gjati thotë se qëndron akuza për trafikun e armëve Kosovë- Shqipëri. Prokurori Edmond Karriqi ka hedhur poshtë këtë akuzë, por nuk ka qenë i këtij mendimi drejtuesja, e cila ka depozituar në gjykatë një relacion.

Në këtë dokument, listohen disa veprime hetimore që duhet të ishin kryer në interes të zgjidhjes së drejtë të çështjes. Midis tyre janë marrja e të dhënave në sistemin TIMS, riespektim teknik të armëve të sekuestruara, kërkesë për interpretim të qartë nga Instituti i Policisë Shkencore, në Tiranë lidhur me përcaktimet për armët e sekuestruara.

Prokuroria e Kukësit mbylli më 16 nëntor hetimet për dosjen në ngarkim të këngëtares Fjolla Morina, e cila u arrestua, më 19 shtator teksa tentoi të hynte në territorin shqiptar përmes pikës kufitare të Morinës me dy armë zjarri me vete. Dosja ka mbërritur në gjykatë dhe akuzohet vetëm për veprën penale “armëmbajtje pa leje”, ndërsa vepra tjetër “trafikim armësh” ka rënë .

Fjolla Morina vijon të jetë në Kukës nën masën e sigurisë “arrest shtëpie”. Gjatë kontrollit nga autoritetet e pikës kufitare në çantën e saj u gjetën dy pistoleta, njëra prej tyre çakmak, si edhe 23 fishekë. Këngëtarja nga Kosova u arrestua bashkë më dy persona të tjerë, me të cilët po udhëtonte. Fitim Muji shoferi personal dhe miku i saj biznesmeni nga Gjilani, Fisnik Syla. Fillimisht Gjykata e Kukësit caktoi masën e sigurisë “arrest me burg” me afat 30 ditor për të dy, por ata janë liruar 16 ditë më vonë nga qelia.

Gjykata pushoi hetimet për dy të rinjtë, duke u shprehur se nuk ka prova që ata të jenë të implikuar në armën që iu gjet Morinës.