Flamur Noka: Qeveri teknike që Shqipëria të gjejë paqe sociale dhe politike

Në mbyllje të protestës së opozitës, demokrati Flamur Noka u shpreh se sot qytetarët e dhanë mesazhin e tyre, se Shqipëria nuk mund të qëndrojë më nën pushtetin e narkoshtetit.
Noka theksoi se tashmë nuk ka kthim pas dhe lirimi i liderit të opozitës dhe qeveria teknike janë dy kushte që Shqipëria të gjejë paqe sociale dhe politike.
Flamur Noka: Nuk nënshtrohen. Sot qindra mijë shqiptarë protestuan kundër narkoregjimit që po rënon Shqipërinë. Mesazhi i çdo qytetari sot ishte Shqipëria kërkon demokraci, Shqipëria nuk mund të qëndrojë nën thundrën e narkos dhe Shqipëria nuk mund të pranojë të ketë liderin e opozitës të burgosur politik, Shqipëria nuk mund të jetë i vetmi vend që zgjedhjet nuk zhvillohen të lira, por vidhen nën grykën e kallashnikovit.
Mesazhi i qytetarëve ishte i qartë, regjimi i narkos duhet të dëgjoj zërin e qytetarëve. Qytetarët sot treguan që ishin shumica. Sot foli shumica e shqiptarëve. Zëri i tyre duhet të dëgjohet. Ne jemi të vendosur në betejën tonë. Nuk ka kthim mbrapa. Lirimi i liderit të opozitës dhe qeveri teknike që Shqipëria të gjejë paqe sociale dhe politike. Siç arritëm çdo qëllim që nga momenti që u ngritëm në betejë kjo fitore do të jetë si gjithë të tjerat që kemi arritur deri tani. Do të qëndrojmë, do të luftojmë dhe do të fitojmë.
Opozita është në këmbë derisa të arrijë qëllimin e saj. Unë nuk di që të ketë forcë opozitare që sot nuk është bashkangjitur koalicionit tonë opozitarë. Sot Shqipëria ka një Parti Demokratike më të bashkuar se kurrë, ka dhe një opozitë më të fuqishme dhe më të bashkuar se kurrë dhe pikërisht kjo protestë këtë demostroi që sot jemi shumica dhe të bashkuar ne do t’ia arrijmë. Javën tjetër do të ketë protestë ditën e enjte në orën 11 tek ‘lali vjedhësi’ derisa drejtësia të flasë deri atëherë qytetarët do të jenë duke ngritur zërin për padrejtësinë./tvklan