75 Mall Live Search
08:32 / E Premte, 19 Mars 2021 / OSH

Flasin dy policët që shpëtuan jetën e banorëve të Fushë- Kosovës pas rënies së zjarrit

Si pasojë e një defekti në sistemin e njehsorëve elektrikë të mërkurën në një objekt banesor në Fushë-Kosovë kishte shpërthyer zjarri.

Jeta e banorëve atje ishte në rrezik, përderisa ishte e nevojshme edhe ndërhyrja e shërbimeve emergjente, përfshirë zjarrfikësit, emergjencën dhe policinë.

Këta të fundit, ndihmuan banorët, duke u bërë më pas viral përmes një fotografie në rrjetet sociale.

Në emisionin #gjesi dy zyrtarët policorë rrëfyen këtë përvojë, të cilën nuk e kishin përjetuar më parë.

“Është hera e parë që kena marrë pjesë në një aksion të tillë, por fal përgatitjeve profesionale që i kemi nga e kaluara, nga akademia kena arrit me menaxhu stresin, natyrën e rastit dhe kemi arrit me i largu personat që kanë qenë brenda e që kanë qenë të rrezikuar nga tymi i madh që ka qenë brenda ndërtesës”, tha Bajram Qerimi.

Ndonëse edhe jeta e tyre ishte në rrezik, ata ndihmuan banorët që ishin ë rrezikuar në ato momente.

“Në ato momente vetëm kena dëshirë që të mos kishte të lënduar te qytetarët, nga banorët aty brenda dhe si e kena marrë informatën se zjarrfikësit mund të vonohen dhe ajo kohë mund të jetë fatale për banorët dhe pa menduar dy herë jemi futur brenda dhe kemi evakuar qytetarët” tha Arbnor Bullatovci, njëri nga zyrtarët policorë.

Pas këtij aksioni, Qerimi dhe Bullatovci kanë kërkuar ndihmë mjekësore për shkak se ishin prekur nga tymi dhe flakët.

“Ne vetëm kemi bërë punën tonë”, u shprehën në fund dy zyrtarët policorë.