Flet Dardan Molliqaj pas lirimit: Brenda qeverisë e kemi një frikacak

Dardan Molliqaj ka reaguar pas refuzimit të propozimit të Porkurorisë për paraburgimin e tij.
Molliqaj, përmes një shkrimi në Facebook, ka deklaruar se reagimi dhe protestimi i qytetarëve ka bërë që të tërhiqet vendimi për shtrenjtimin e energjisë elektrike. Ai gjithashtu s’la hezituar ta quajë kryeministrin Albin Kurti “frikacak”, duke thënë se është një politikan i rrezikshëm.
“Ashtu siç e thash në protestë, po e them edhe sonte: brenda qeverisë e kemi një frikacak që vetja i duket supermen. E ky është lloji më i rrezikshëm i politikanëve” ka thënë Molliqaj.
Ky është shkrimi i plotë i tij:
Të dashur aktivistë, protestues e qytetarë,
Faleminderit për solidaritetin e madh që treguat ndaj meje. Insistimi juaj na i solli dy fitore për një kohë shumë të shkurtër.
Ju protestuat masivisht kundër shtrenjtimit të rrymës. Dhe qeveria ka nisur tërheqjen.
Ju reaguat masivisht me indinjim, jo thjeshtë kundër marrjes peng që më bëri policia mua, por kundër praktikës së persekutimit nga pushteti autoritar ndaj kujtdo që mendon ndryshe. Dhe pushteti u tërhoq.
Ashtu siç e thash në protestë, po e them edhe sonte: brenda qeverisë e kemi një frikacak që vetja i duket supermen. E ky është lloji më i rrezikshëm i politikanëve.
Por ashtu siç e thash në protestë, po e them edhe sonte: jashtë qeverisë kemi qytetarë përherë e më aktiv, që nuk do të ndalen së protestuari kundër pabarazisë e padrejtësisë.
Faleminderit, e shihemi shpejt nëpër tubimet e protestat e radhës!