Flet drejtori i IML-së për zhvarrosjen në Dragodan

Pasditen e sotme, në varrezat e Dragodanit në Prishtinë, kanë nisur gërmimet për gjetjen e një trupi që dyshohet të jetë i një personi të zhdukur nga lufta e fundit në Kosovë, transmeton IndeksOnline.
Lajmi për këtë zhvarrosje është konfirmuar nga drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore, Driton Haliti, i cili tha se gërmimet kanë nisur që nga mëngjesi i sotëm dhe po kryhen me vendim të Gjykatës Themelore.
“Në bazë të informacioneve që i kemi pasur, ne kemi filluar gërmimet”, deklaroi Haliti për IndeksOnline.
Në vendin e ngjarjes ndodhen njësitet e Policisë së Kosovës, zyrtarë të EULEX-it, si dhe ekipet mjeko-ligjore të cilët po koordinojnë nga afër procesin e zhvarrosjes. Haliti bëri të ditur se gërmimet do të vazhdojnë edhe nesër, në disa pika të tjera që janë identifikuar paraprakisht si potencialisht të rëndësishme për hetim.
Aktualisht po zhvillohen procedurat hetimore dhe analizat e nevojshme për identifikimin e mbetjeve mortore, ndërkohë që identiteti i viktimës ende nuk është konfirmuar./IndeksOnline/