Flet kapiteni i Prishtinës në futsall – Tregon se sa janë të përgatitur për ndeshjen me Barcelonën

Ditët po afrohen deri te ndeshja e madhe e Ligës së Kampionëve në futsall, ajo ndërmjet Prishtinës dhe Barcelonës.
Pra, kampioni i Kosovës dhe ai i Spanjës do të takohen së bashku në Palau Blaugrana me datën 15 janar në vitin 2021, duke filluar nga ora 18:30, shkruan IndeksOnline
Por, sa janë të përgatitur futbollistët e Prishtinës për këtë duel interesant, ku dihet se kanë një ndeshje të vështirë para vetit, IndeksOnline ka biseduar me kapitenin e skuadrës sonë, Jeton Rukovci, i cili u tregua shumë optimist.

Ai tha se përkundër se do ta kenë një ndeshje të vështirë, përgatitjet dhe përforcimet e reja do t’i ndihmojnë ata.
“Stërvitjet po ecin shumë mirë edhe pse me intensitet më të lartë se zakonisht, për faktin se do të kemi një skuadër shumë të fortë si kundërshtar dhe duhet të jemi sa më të përgatitur për këtë duel”, tha fillimisht Rukovci.

“Atmosfera brenda grupit është shumë e mirë, pasi me dy përforcimet e reja nga Brazili, kualiteti i grupit është rritur dukshëm dhe fatmirësisht nuk kemi mungesa apo lëndime deri me tani”.
“Jemi shumë të motivuar dhe presim që të paraqitemi sa më mirë në Barcelonë, do të provojmë shanset tona gjithsesi”, tha ai.