17:39 / E Enjte, 01 Shkurt 2018 / indeksADMonline

Flet komandanti: As një informacion për trazirat rreth Speciales

Komandanti i Forcave të Përbashkëta Aleate në Napoli, admirali James Foggo, nuk pret të ketë trazira eventuale në Kosovë për shkak të Gjykatës Speciale, por tha se KFOR-i është i aftë të ofrojë siguri në tërë territorin e Kosovës.

Ai këto komente i bëri gjatë një vizite të përbashkët me komandantin e KFOR-it, gjeneralmajor Salvatore Cuoci, që patën sot tek ura kryesore në Mitrovicë.

“Sa i përket pyetjes se a kam ndonjë informacion rreth trazirave apo ndonjë parashikim rreth Gjykatës Speciale, përgjigjja ime është jo. Pritshmëria ime është që me çfarëdo që të dalë Gjykata Speciale, një lloj vendimi apo njoftimi, ne do të mbajmë paqen dhe stabilitetin në Kosovë përmes metodave. Ju pyetët nëse KFOR-i ishte i aftë të ofrojë siguri, mendoj se përgjigja për këtë është po, KFOR-i ka një rekord 18-vjeçar për sigurimin e sigurisë në tërë Kosovën. Megjithatë, KFOR-i, me politika të KFOR-it, me politika të NATO-s është një reagues i tretë. Reaguesi i parë është Policia e Kosovës dhe nga gjithçka që kam parë dhe dëgjuar nga oficerët e mi këtu në KFOR, Policia e Kosovës është një forcë shumë efektive, këtu ekziston një sundim i ligjit. Reaguesi i dytë është EULEX-i dhe reaguesi i tretë është KFOR-i”, ka thënë ai.

I pyetur rreth mendimit të tij për gjendjen e sigurisë në  veri të vendit pas vrasjes së Ivanoviqit dhe urës së bllokuar që lidh këto dy pjesë, admirali Foggo tha se qëllimi i ardhjes së tij në Kosovë është përçimi i mesazhit për paqe, stabilitet dhe siguri.

“Unë përshpejtova agjendën time pas vrasjes së Ivanoviq disa javë më parë, sepse doja të vija këtu me mesazhin se KFOR-i është gati të ofrojë gjithçka që mundemi për të ruajtur stabilitetin, paqen dhe sigurinë, ky është misioni ynë”, ka thënë ai.

Ndërsa komandanti i KFOR-it, gjeneral major Salvatore Cuoci, ka thënë se KFOR-i garanton paqe dhe siguri në gjithë territorin e Republikës së Kosovës, ndërkohë ka shprehur keqardhje për vrasjen e politikanit serb, Oliver Ivanoviq.

Sa i përket urës së bllokuar, ai tha se rihapja e kësaj ure nënkupton një lidhje shumë të rëndësishme mes dy popujve.

“Pra, kjo është mundësia për rihapjen e kësaj ure, sepse është  shumë e rëndësishme që ju të besoni në paqe dhe ajo çfarë ka ndodhur me vrasjen e Ivanoviqit është diçka për të cilën na vjen shumë keq. Ne do të dëshironim që ky simbol që është ende pengesë për bashkimin në çështjen etnike që kishim në të kaluarën të jetë një shenjë e re për njerëzit e Kosovës që të jetojnë së bashku në paqe dhe të jetojnë së bashku në një të ardhme të përbashkët”, ka thënë ai.

Kryetari i Mitrovicës Veriore, Goran Rakiq, nuk ishte prezent në konferencën e përbashkët të mbajtur në pjesën veriore, gjegjësisht në urën kryesorë mbi lumin Ibër, edhe pse prezenca e dy kryetarëve të komunave të Mitrovicës ishte paralajmëruar. /Indeksonline/