09:30 / E Martë, 24 Mars 2020 / indeksADMonline

Flet për koronavirusin në një vaskë me qumësht dhe petale: Madonna kritikohet nga fansat

Madonna qe e mendimit se koronavirusi është një ngjarje që barazon të pasurit dhe njerëzit e thjeshtë dhe pikërisht këtë mesazh vendosi t’ua shpërndante ndjekësve në mënyrën e saj – në një vaskë me qumësht për trupin dhe petale trëndafilash.

Në videon – e cila tashmë rezulton e fshirë – e postuar në Instagram, Madonna u shpreh: “Nuk ka rëndësi sa i pasur je, sa i famshëm je, sa gazmor je, sa i zgjuar je, ku jeton, sa vjeç je. Koronavirusi i barazon të gjithë.”

Më tej shtoi, “Jemi të gjithë në të njëjtën anije dhe nëse ndodh që zhytet, zhytemi të gjithë.”

Megjithatë mesazhi nuk u prit mirë nga ndjekësit, të cilët në komente theksuan se “Madonna nuk po tregohet aspak empatike”.

“Më fal mbretëresha ime, ne të duam shumë, por nuk jemi të barabartë. Mund të vdesim nga e njëjta sëmundje, por të varfërit do të vuajnë më shumë. Mos e romantizo këtë tragjedi,” shkroi dikush.

Një tjetër tha se nuk ka lidhje barazia, për aq kohë sa “njerëzit vuajnë për nevoja jetike” ndërkohë që Madonna “poston video ku shfaqet e mbuluar me petale”.

Një i tretë tha: “Nëse anija fundoset, a mendoni vërtet se do të mbytemi së bashku? Teksa ti po qëndron në vaskë, dikush tjetër po punon. Unë të dua idhulli im, por gjërat jashtë rezidencës suaj janë shumë më ndryshe nga çfarë e mendoni. Qëndroni të sigurt dhe bëhuni pak më empatikë ndaj atyre më pak të privilegjuarve.”