Flet profesori që dyshohet se abuzoi seksualisht me 16 vjeçaren nga Drenasi
Arsimtari nga Komuna e Drenasit, Sh.Xh., ndaj të cilit një 16-vjeçare nga Drenasi kishte denoncuar një rast të abuzimit seksual në shtator të vitit 2016, nuk ka dashur të komentojë lidhur me denoncimin e të miturës në polici por ka thënë se “të gjitha shënimet janë në Prokurorinë Themelore të Shtetit”.
Insajderi raportoi dje për rastin e 16-vjeçares nga Drenasi, e cila ka shkuar në polici për të denoncuar profesorin e saj. Por, në vend të gjetjes së ndihmës, ajo ka gjetur një “padron” skllavërues policor. Pas marrjes së deklaratës dhe fotografimit të zhveshur të viktimës, hetuesi policor V.V., nën kërcënim dhe shantazh e ka detyruar të miturën të bënte seks me të.
Gazeta ka kontaktuar sot me arsimtarin me inicialet Sh.Xh., të cilin 16-vjeçarja e ka denoncuar në Policinë e Kosovës. Në një bisedë telefonike, Sh.Xh. ka thënë se të gjitha shënimet janë në Prokurorinë Themelore të Prishtinës, por nuk ka dashur të komentojë rastin.
“Të gjitha janë shënimet në Prokurorinë Themelore të Shtetit. Atje mund të kërkosh. Hetimet janë pushuar dhe atje janë të dhënat të gjitha”, ka thënë Sh.Xh..
I pyetur lidhur me denoncimin që 16-vjeçarja nga ka bërë në Policinë e Kosovës, ai është përgjigjur: “Janë shënimet të gjitha [në Prokurori]” dhe ka ndalur telefonin.
50-vjeçari ka shfrytëzuar detyrën e tij zyrtare për ta futur nën kontroll dhe për ta shfrytëzuar seksualisht një vajzë e cila sapo kishte mbushur 16 vjet.
V.V., e kishte njohur vajzën ditën që ajo kishte shkuar në stacionin policor në Drenas për ta denoncuar një mësues të saj për marrëdhënie seksuale. Viktima ishte nën moshën 16 vjeçare.
Më 14 shtator të vitit 2016, asokohe 16-vjeçarja kishte denoncuar një rast të veprës penale “keqpërdorim seksual” në Policinë e Kosovës, në Stacionin Policor në Drenas. Hetuesi V. V., ishte në detyrë. Keqpërdoruesi ishte arsimtari i saj, Sh. Xh..
Rasti i hapur në polici mbanë numrin 2017-AG-0643.
Hetimi kundër profesorit ishte udhëhequr nga rreshteri V. V. i cili e kishte intervistuar viktimën, duke e dëgjuar nga ajo gjithë ngjarjen. Hetuesi e kishte fotografuar të miturën kinse për nevoja të hetimeve. Më pas, V.V. e kishte shantazhuar të miturën dhe e kishte detyruar të bënte seks me të.