21:15 / E Premte, 15 Janar 2021 / Blerim

Flet trajneri i Prishtinës në futsall pas ndeshjes me Barcelonën: Ne përfaqësuam edhe Kosovën!

Skuadra e Prishtinës në futsall u mposht nga Barcelona në ndeshjen kualifikues për rundin e 1/16 së finales në Ligën e Kampionëve.

Skuadra nga kryeqyteti tregoi vendosmëri të madhe në pjesën e parë, por që nuk ia doli ta fitoi këtë sfidë ndaj një Barcelone të fortë, shkruan IndeksOnline

Takimi u mbyll me rezultat final në 9:2 në një ndeshje që u zhvillua në “Palau Blaugrana”.

Kështu, IndeksOnline pas ndeshjes ka biseduar me trajnerin e Prishtinës në futsall, Huar Morinën, i cili tha se kjo humbje do të jetë një mësim për ta në të ardhmen.

“Jemi munduar që me paraqitjen tonë ta përfaqësojmë edhe Kosovën sa ma mirë, kishim një kundërshtar te vështirë si është Barcelona, ne pjesën e parë qëndruam mirë, por duhet ditur kualitetin e tyre. Unë i uroj futbollistët për paraqitjet e tyre dhe shpresojmë se kjo ndeshje do të jetë një mësim për ne në të ardhmen”, tha trajneri i Prishtinës në futsall, Huar Morina.