Flet zv.kryeministri i parë: Këtë pozitë s’e shoh si privilegj, por si përgjegjësi ndaj vendit e shoqërisë!

Zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Besnik Tahiri, përmes një postimi të bërë në Facebook, ka thënë se detyrën që ka marrë, nuk e sheh si privilegj, por si përgjegjësi ndaj vendit e shoqërisë.
Ky është postimi i plotë i tij:
Të nderuar qytetarë,
Me besimin e deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës e të Kryeministrit Ramush Haradinaj nga sot do të mbajë pozitën e zëvendëskryeministrit të parë. Këtë pozitë, nuk e shoh si privilegj por si përgjegjësi ndaj vendit e shoqërisë!
Përcaktimi im është angazhimi politik e profesional me synim të qartë në shërbim të institucioneve dhe shtetit. Do të angazhohem si përherë, të mos kufizohem në dallimet politike e konceptuale, përkundrazi do të kultivojë vlerën e bashkëpunimit. Do të vazhdoj ta kultivojë debatin përmbajtjesor, konsultimin e përhershëm dhe bashkëpunimin pa dallime në funksion të punëve të mira që mund t’i bëjmë së bashku.
Si shtet dhe shoqëri, e kemi domosdoshmëri të marrim më të mirën nga secili, duke sjell sinergji në funksion të progresit, zhvillimit dhe synimeve tona të përbashkëta euro-atlantike.
Faleminderit të gjithëve për besimin!