Florian Dushi drejtor në Prishtinë, ky pritet të jetë pasuesi i tij në KQZ

Florian Dushi sot ka marrë detyrën e Drejtorit të Drejtorisë së Inspeksionit në Komunën e Prishtinës. Dushi ishte anëtar i LDK-së në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
Burime të Indeksonline tregojnë që në vend të Dushit në KQZ, pritet të vije Sami Hamiti.
Njoftimi i plotë:
Të nderuar/a,
Sikur që kishit rast ta kuptoni edhe nga postimi i Kryetarit, z.Përparim Rama, tash e tutje, sipas vendimit të Kryetarit Rama, unë do të ushtrojë detyrën e Drejtorit të Drejtorisë së Inspeksionit në Komunën e Prishtinës.
Duke e pasur krejtësisht të qartë peshën e përgjegjësisë dhe natyrën tejet sfiduese të detyrës së re, thellësisht jam i bindur se, bashkë me kryetarin Rama dhe kabinetin e tij, do t’ia dalim të kemi suksese konkrete në realizimin e programit tonë qeverisës, program ky i cili sadopak do ta bëjë më të lehtë për qyteterët tonë të jetuarit në qytetin tonë të dashur, Prishtinën.
Falënderoj Kryetarin, z.Lumir Abdixhiku sikur edhe Kryetarin, z.Përparim Rama për mbështetjen dhe besimin e dhënë në këtë nivel të qeverisjes në Komunën e Prishtinës.
Natyrisht, për të gjitha sukseset, për fitoren dhe rikthimin e madh të LDK-së në Prishtinë, sukseset tona të përbashkëta dhe individuale, falenderoj Degën e Dytë të LDK-së “Qyteti i Vjetër” në Prishtinë, një super degë që përbënë shembull gjithandej me unitetin, aktivitetin, devotshmërinë dhe dashurinë e saj dhe të veprimtarëve të saj të mrekullueshëm për LDK-në, për Kosovën e Prishtinën!