Florian Dushi: Vettingu është proces i rritjes së përgjegjësisë së llogaridhënies

Zëvendësministri në detyrë i Ministrisë së Drejtësisë, Florian Dushi, ka dalë me qëndrimin e tij sa i përket procesit të vettiungut, proces ky që pritet të bëjë një vlerësim për punën e institucioneve të zbatimit të ligjit.
Postimi i plotë i Florian Dushit:
Vettingu nuk është ndonjë masë. Nuk është as ndëshkim. Vettingu është proces i rishikimit dhe vlerësimit, rritjes së përgjegjësisë e llogaridhënies, përmes së cilit synohet avancimi i sistemit të drejtësisë në vendin tonë.
Është proces i cili nuk ka si synim degradimin e as përjashtimin e askujt, por mbështetjen dhe mobilizimin e sistemit të drejtësisë dhe bartësve të tij, rritjen e efikasitetit, dhe përfundimisht, kthimin e besimit të qytetarëve në sistemin e drejtësisë.
Në këtë kuadër, pas procesit të rishikimit funksional, dhe rekomandimeve të dala nga ky proces, Kosova gjatë qeverisjes sonë ka kompletuar tashmë bazën ligjore për themelimin e Gjykatës Komerciale (Ekonomike), gjykatë e cila do të lehtësojë jashtëzakonisht shumë zhvillimin e biznesit në Kosovë, duke përfshirë edhe rritjen e sigurisë për investimet e huaja në vendin tonë.
Prandaj, duke e trajtuar këtë proces me profesionalizëm e seriozitet, duke e rritur efikasitetin në sistemin e drejtësisë, ne do të ndihmojmë edhe zhvillimin ekonomik dhe me këtë do të rrisim edhe mirëqenien e qytetarëve të vendit!