12:13 / E Diele, 24 Dhjetor 2017 / indeksADMonline

Floriana rrëfen 2017-tën: Më solli lumturinë e madhe, nisjen e një familjeje me njeriun që dua

Ish-moderatorja dhe autorja e “Jo vetëm modë” Floriana Garo, ka bërë një rezyme të vitit që po lëmë pas, duke e konsideruar 2017-tën si vitin e ndryshimeve të mëdha në jetën e saj.

“2017-ta ka qenë viti i ndryshimeve për mua. Pasi mbylla sezonin e 5-të të programit që e kam dashur shumë, zgjodha një tjetër vendbanim, e për pasojë m’u desh të përshtatem me një tjetër gjuhë, të tjerë njerëz, tjetër punë, të tjera sfida, një tjetër jetë”, – ka thënë moderatorja për “revistawho.com“.

Pavarësisht sfidave dhe ndryshimeve të mëdha që i kanë ndodhur në jetë, ky ishte viti që bukuroshes i solli lumturinë më të madhe, krijimin e një familjeje të re.

“Ky ka qenë viti që më ka sjellë lumturinë më të madhe, nisjen e një familjeje me njeriun që dua. Për 2018-tën uroj që të sjell në jetë një vajzë të shëndetshme, me shumë fat dhe ta shijoj shumë kohën me të”, – shprehet bukuroshja.

Vështirësitë që të sjell fillimi i një jete të re, në një vend të huaj nuk e kanë penguar bukuroshen e ekranit të punojë për projekte të reja, tashmë në Zvicër.

“Shpresoj të konsolidoj bindshëm projektet që kam nisur këtu në Zvicër, por edhe të kem rastin ta vizitoj vendin tim sa më shpesh”, – ka thënë në fund përfaqësuesja e Shqipërisë në Miss World.

Duke qenë në prag festash, mami i ardhshëm uron të gjithë shqiptarët, “të gjejnë paqe dhe dashuri brenda vetes për 2018-tën”…