Fluturimi 182, një akt terrorist me 329 të vdekur! Ja historia e plotë e aksidenteve ajrore të “Air India”!

Air India ka më shumë se 90 vjet “jetë”, pasi nisi operimin në vitin 1932. Aeroplanët e saj janë përfshirë në aksidente serioze, si dhe në një sërë incidentesh që lidhen me sigurinë. Vetëm vitin e kaluar u regjistruan katër incidente menjëherë pas ngritjes, fatmirësisht pa lëndime.
Aksidentet më të fundit të rënda të kompanisë, përpara tragjedisë së sotme në Ahmedabad, ndodhën në vitet 2010 dhe 2020, por historia e tyre fillon që nga vitet 1940. Në një rast, katastrofa ndodhi për shkak të një sulmi terrorist.
Në dhjetor të vitit 1947, një avion Douglas C-48C që udhëtonte nga Karachi drejt Bombajit u rrëzua dhe të gjithë 23 pasagjerët humbën jetën. Në vitin 1950, një tjetër avion Douglas C-47B i kompanisë u rrëzua në Indi, duke shkaktuar vdekjen e 23 personave, ndërsa në vitin 1951, një Douglas C-47A u rrëzua gjatë ngritjes, duke vrarë një person.
Sërish, një avion Douglas C-47A u rrëzua në vitin 1953 në Indi, duke lënë 18 viktima. Në vitin 1955, ndodhi një tjetër tragjedi për kompaninë, kur piloti tentoi të ulte avionin në ujë pas një shpërthimi bombe. Humbën jetën 16 pasagjerë dhe anëtarë të ekuipazhit.
Air India ka humbur dy avionë në Zvicër, në rrethana të ngjashme. Në vitin 1950, një avion i kompanisë u rrëzua në malin Mont Blanc, duke vrarë të 48 personat në bord. Ndërsa më 24 janar 1966, një Boeing 707 humbi teksa i afrohej Gjenevës, duke vrarë të 117 pasagjerët në bord.
Një nga tragjeditë më të mëdha në historinë e kompanisë ndodhi më 1 janar 1978, kur një Boeing 747 i Air India që udhëtonte nga Bombaji drejt Dubait u rrëzua në Detin Arabik, duke shkaktuar vdekjen e 213 personave në bord. Avioni u rrëzua më pak se dy minuta pas ngritjes, kur një tregues i defektuar bëri që piloti të keqinterpretonte drejtimin e avionit. Errësira natën e bëri edhe më të vështirë orientimin.
Katër vite më vonë, më 21 qershor 1982, një Boeing 707 u rrëzua gjatë përpjekjes për të zbritur në Bombaj në kushte të shiut të dendur. Përpjekja e dështuar për kthim (go-around) bëri që avioni të përplasej me pengesa dhe të merrte flakë, duke shkaktuar vdekjen e 17 prej 111 personave në bord.
Tragjedia më e rëndë në historinë e Air India ndodhi më 23 qershor 1985, kur fluturimi 182, një Boeing 747 që udhëtonte nga Montreal për në Delhi përmes Londrës, shpërtheu në ajër pranë brigjeve të Irlandës. Si pasojë e shpërthimit, humbën jetën të 329 personat në bord, përfshirë 268 shtetas kanadezë, shumica me origjinë indiane. Ky ishte sulmi më vdekjeprurës terrorist i ndodhur ndonjëherë kundër një avioni civil para 11 Shtatorit 2001 dhe konsiderohet si një nga aktet më të rënda terroriste në historinë e Kanadasë.