14:20 / E Enjte, 20 Korrik 2023 / LB

Fluturojnë çmimet e “Rent a Car” në Kosovë, nga 30 deri në 350 euro pagesa ditore për një veturë (Audio)

Ngritja e çmimeve në Kosovë ka prekur edhe “Rent a Car”. Dhe janë mërgimtarët më të prekurit nga rritja e çmimit të shfrytëzimit të veturave me qera.

Vitin e kaluar çmimi për një veturë mesatare sillej rreth 20-25 euro, tani çmimi minimal për një veturë të thjesht fillon nga 30 euro për 24 orë.

Indeksonline ka kontaktuar disa nga sallonet e “Rent a Car” në Kosovë dhe ka marrë çmimet aktuale, por edhe të muajit gusht. Çmimet janë të ndryshme për datat e caktuara, por edhe për modelet e veturave.

Ka raste kur një veturë moderne e tipit G Class jepet në shfrytëzim 350 euro për 24 orë. Ka autosallone që bëjnë zbritje për 1 euro në ditë, nga 80 euro një veturë jepet me ofertë 79 euro për shfrytëzim ditor me qera.

L.B ka ardhur nga Gjermania që 1 javë dhe është befasuar me rritjen e çmimeve të veturave me rent.

“Vitin e kaluar kam gjet veturë edhe me 15 euro në Pejë, ndërsa sivjet nën 30 euro as që po u diskutojshin” ka thënë mërgimtari për Indeksonline.