75 Mall Live Search
12:21 / E Mërkurë, 31 Korrik 2019 / indeksADMonline

“Fluturon” zyrtari i qeverisë, 180 km/h me veturë 3Z

Aksidentet nëpër rrugët e Kosovës këto ditë janë shtuar, ku shumë prej tyre po përfundojnë edhe me vdekje.

Për këtë, Policia e Kosovës ka ndërmarr plan operativ derisa ka apeluar tek qytetarët të kenë kujdes në trafik dhe të respektojnë rregullat në komunikacion.

Një nga shkaktarët e vdekjeve të personave në aksident, edhe sipas Institutit Kombëtarë të Shëndetësisë Publike, është mosrespektimi i rregullave.

 Apeli për respektim të rregullave në komunikacion nga ana e Policisë si duket nuk vlen për vozitësit, zyrtarë të institucioneve të ndryshme.

Një veturë me targa zyrtare që i përket Qeverisë së Kosovës është parë mëngjesin e sotëm duke ‘fluturuar’ në autostradën “Ibrahim Rugova”.

 Siç shihet në këto pamje të dërguara në redaksinë e Indeksonline, zyrtari në fjalë vozitë me shpejtësi 180 km/h.

Pamjet e vozitjes janë në autostradën “Ibrahim Rugova”, përkatësisht Banjë-Arllat.

Nuk janë të rralla videot ku zyrtarët vozisin duke mos respektuar rregullat në trafik, kështu ata rrezikojnë jo vetëm vetën, por edhe të tjerë pjesëmarrës në trafik.

Ndryshe, nga janari e deri në këtë muaj, si pasojë e aksidenteve kanë vdekur mbi 50 persona, ndërsa rreth 5 mijë janë lënduar./Indeksonline/