15:23 / E Hënë, 06 Maj 2019 / indeksADMonline

FMN: Hiqni përjashtimet fiskale

Fondi Monetar Ndërkombëtar uli parashikimet për rritjen e ekonomisë shqiptare gjatë këtij viti nga 3.7 për qind në 3.5 për qind.

“Këtë vit rritja pritet te ngadalësohet në 3.5 për qind për shkak të efektit bazë që vjen nga prodhimi rekord i energjisë gjatë vitit të kaluar dhe ngadalësimit të ekonomisë së eurozonës, veçanërisht vendeve partnere të Shqipërisë”, shprehet Jan Kes Martijn, shefi i misionit të FMN për Shqipërinë.

Por qeveria ka pritshmëri më optimiste. Ministrja e Financave Anila Denaj tha efektet negative që vijnë nga ngadalësimi i eurozonës pritet të kompensohen nga ecuria më e mirë në disa sektorë të brendshëm.

“Në pjesën e dytë të vitit pritet që të ketë përmirësim. Bujqësia, turizmi do të kompensojnë efektet negative”, tha Anila Denaj.

Sipas FMN, rritja e rreziqeve për ekonominë do të bëjë më shumë presion mbi financat e shtetit. Këtu rekomandimi i fondit për qeverinë ishte i qartë.

“Për shembull në dy vitet e fundit janë miratuar një sërë masash dhe ndryshime taksash që e kanë bërë sistemin tatimor më kompleks. Rekomandimi ynë është që të kombinohet përpjekjet aktuale për forcimin e sistemit tatimor, të shikohet sërish struktura e këtij sistemi duke e bërë më të thjeshtë, me më pak përjashtime dhe norma speciale taksash për sektorë të caktuar”, thotë Jan Kes Martijn, transmeton tch.

Veç anulimit të privilegjeve fiskale, Jan Kejs Martin i sugjeroi qeverisë të bëjë kujdes me ligjin për korporatën e investimeve.

“Ne këshillojmë fuqimisht qeverinë të rishikojë propozimin për krijimin e korporatës shqiptare të investimeve për të shmangur rreziqet që mund të ketë në buxhet dhe për të ruajtur integritetin menaxhimit të investimeve publike”, tha Jan Kes Martijn.

“Objektivi kryesor mbetet administrimi me eficencë i aseteve shtetëror. Nuk ka asnjë synim tjetërsimi i pronës”, sqaroi Anila Denaj.