FMN vlerëson performancën ekonomike dhe stabilitetin financiar të Kosovës
Pas përfundimit të vizitës zyrtare të misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) në Kosovë, e zhvilluar nga 3 deri më 13 shkurt, u mbajt konferencë për media ku morën pjesë Ministri i Financave, Hekuran Murati, Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Ahmet Ismaili, si dhe Shefi i Misionit të FMN-së për Kosovën, David Amaglobeli.
Ministri Murati theksoi se gjatë vitit 2025 ekonomia e Kosovës ka dëshmuar qëndrueshmëri të lartë, duke theksuar se rritja ekonomike ka vazhduar me ritmet pozitive të viteve të fundit.
Ministri bëri të ditur se të hyrat buxhetore vazhdojnë të performojnë shumë mirë, ndërsa menaxhimi i kujdesshëm i shpenzimeve ka mundësuar rritje të shpenzimeve kapitale. Sipas tij, kjo qasje kontribuon në forcimin e potencialit afatgjatë të zhvillimit ekonomik.
Guvernatori Ismaili falënderoi Ministrinë e Financave dhe misionin e FMN-së për bashkëpunimin e vazhdueshëm dhe konstruktiv. Ai theksoi se vlerësimi i FMN-së pasqyron përparimin e arritur në forcimin e stabilitetit financiar dhe institucional. Sipas tij, sektori financiar mbetet i shëndetshëm dhe mirë i kapitalizuar, ndërsa Kosova ka shënuar progres të rëndësishëm në fushat e mbikëqyrjes financiare, sistemeve të pagesave dhe digjitalizimit të shërbimeve financiare.
Shefi i Misionit të FMN-së, z. Amaglobeli, përgëzoi institucionet e Kosovës për përmbylljen e procesit të formimit të Kuvendit dhe Qeverisë, ndersa bëri të ditur se janë përmbyllur konsultimet në kuadër të Nenit IV, një proces i rregullt që zhvillohet me të gjitha vendet anëtare të FMN-së.
Z. Amaglobeli vlerësoi qëndrueshmërinë makroekonomike të Kosovës, duke theksuar disiplinën fiskale, nivelin e ulët të borxhit publik dhe perspektivën pozitive ekonomike. Sipas projeksioneve të FMN-së, për vitin 2026 pritet rritje ekonomike rreth 3.8%. Ai ritheksoi partneritetin e fortë dhe afatgjatë të FMN-së me institucionet e Kosovës.
Të tre përfaqësuesit shprehën përkushtimin për vazhdimin e bashkëpunimit në funksion të ruajtjes së stabilitetit makroekonomik, forcimit të kohezionit shoqëror dhe promovimit të zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik të Republikës së Kosovës.

