75 Mall Live Search
20:34 / E Hënë, 17 Nëntor 2025 / B XH

Foda duhet të bëjë kujdes ndaj Zvicrës, rrezikon të humbë 4 lojtarë për play-offin e marsit

Kosova do të përballet nesër me Zvicrën në stadiumin “Fadil Vokrri”, në ndeshjen e fundit të ciklit kualifikues. Të dy kombëtaret i kanë arritur tashmë objektivat e tyre, megjithatë sfida mbetet me rëndësi të veçantë për renditjen dhe menaxhimin e skuadrave para fazës play-off.

Zvicra është pothuajse e sigurt në vendin e parë të grupit, ndërsa Kosova për të kaluar në krye do të duhej të fitonte me plot 6 gola diferencë – një skenar thuajse i pamundur.

Për këtë arsye, Dardanët tashmë e kanë fokusin tek ndeshjet e marsit, ku do të luajnë në play-off, rruga e vetme e mbetur për të siguruar një biletë për Botërorin e verës së ardhshme.

Megjithatë, sfida ndaj Zvicrës mbart rreziqe të tjera. Kosova mund të humbasë katër prej titullarëve për ndeshjet e marsit, në rast se marrin kartonë.

Lojtarët e rrezikuar janë dy qendërmbrojtësit Lumbardh Dellova dhe Albian Hajdari, si dhe mesfushorët Muharrem Jashari e Leon Avdullahu.

Për këtë arsye, me shumë gjasë trajneri Franco Foda mund të vendosë t’u japë pushim këtyre futbollistëve në ndeshjen e nesërme, për të shmangur çdo rrezik të panevojshëm para play-offit vendimtar.