FOL: Nga 175 aktivitete të planifikuara për gjashtë muaj, Qeveria i ka realizuar vetëm 60

Qeveria e Kosovës ka arritur që t’i realizojë 60 aktivitet në gjashtë muajt e parë të këtij viti, nga 175 sa kishte planifikuar.
Këto të dhëna u bënë publike nga Lëvizja FOL në një konferencë për medie, të dhëna këto të nxjerra nga monitorimi i realizimit të aktiviteteve të parapara për gjashtë mujorin e parë të vitit 2023, në kuadër të Planit Kombëtar për Zhvillim 2023-25.
Drejtoresha ekzekutive e Lëvizjes FOL, Mexhide Demolli-Nimani, tha se një nga të metat është mungesa e kapaciteteve analitike dhe po ashtu mungesa e buxheti. Ajo shtoi se afatet e realzimit të aktiviteteve janë vendosur sipas dëshirës se institucioneve.
“Përshembull në Ministrinë e Shëndetësisë janë paraparë 15 projektligje, por asnjëri nuk është në PKZh. Në shumë raste mungon buxheti. Një nga shkaqet është mungesa e kapaciteteve analitike. Ka raste kur një koncept dokument vlerësohet me pesë e ka raste kur vlerësohet me tre. Pra ka një të metë të madhe në peshim. Kanë vendosur afate sipas dëshirës që t’i ikin llogaridhënies”, tha ajo.
Demolli shtoi se kjo vendosje e afateve të aktiviteteve kaq e gjatë është e qëllimshme në mënyrë që zyrtarët t’i ikin përgjegjësive dhe llogaridhënies.
“Qëllimi në vetvete është që të fshihet sa po realizohen e sa jo. Një aktivitet shihet kur fillon e kur mbaron. Mund të jetë një aktivitet shumë i thjeshtë që mund të realizohet për dy-tre muaj. Ky plan është shumë i paqartë dhe i pakuptueshëm dhe me zyrtarët që kemi komunikuar na kanë thënë se nuk e dinë si do raportojnë rreth tij”, tha Demolli.
Albana Hasani, hulumtuese e lartë në Lëvizjen FOL, i numëroi aktivitetet e parapara dhe ato të realizuara nga ministritë e Qeverisë së Kosovës.
Ajo tha se nga 175 aktivitete të parapara Qeveria e Kosovës ka arritur të realizojë vetëm 60 dhe se është hartuar si plan në mënyrë vështirë të interpretueshme, raporton EO.
“MASHT nga 10 aktivitetet e parapara ka arritur të realizojë vetëm 6. ZKM ka paraparë realizimin e 47 aktiviteteve, por ka arritur vetëm 12 prej tyre. Ministria e Shëndetësisë 14 aktivitete, ka realizuar vetëm 8 prej tyre. Ministria e Drejtësisë 14, ka realizuar vetëm 6 prej tyre. Ministria e Financave ka paraparë 8, ka përfunduar 6. Ministria e Ekonomisë 5, i ka përfunduar 3”.
“Nga 175 aktivitete të parapara në 6 mujorin e parë Qeveria e Kosovës ka realizuar vetëm 60 aktivitete të planifikuara për gjashtëmujorin e parë të vitit 2023. Lëvizja FOL ka nxjerrë këto konkluzione, metodologjia e përdorur për punën e Qeverisë e kanë të vështirë ta kuptojnë edhe ata që kanë punuar aty. Afatet kohore janë vendosur në atë mënyrë që është vështirë të interpretohen”, tha ajo.