15:57 / E Premte, 19 Maj 2023 / mp

Fondacioni “Golden Eagle” hap fabrikën për prodhimin e letrës “Freesia Paper Factory”

Fondacioni “Golden Eagle” sot ka inauguruar fabrikën e veçantë, në të cilën do të jenë të punësuar vetëm personat me aftësi të kufizuara dhe gjithë fitimet nga kjo fabrikë, e cila do të shesë letra higjienike, do të shkojnë për këtë kategori të shoqërisë.

Pronari i “Golden Eagle”, Shaqir Palushi, gjatë ceremonisë së hapjes së fabrikës “Freesia” tha se kjo fabrikë e vogël ka një mision të madh.

“E financuar nga fondacioni ‘Goldet Eagle’, sot po hapet një fabrikë e vogël, por që ka një mision të madh, të punësojë persona me aftësi të kufizuara. Këta persona mund të kenë ndonjë kufizim, por vullneti për të punuar është shumë i madh, sepse nuk duan të jenë barrë për familjen dhe shoqërinë, por duan të jenë pjesë e atyre që kontribuojnë në zhvillimin e vendit”, tha Palushi para të pranishmëve.

Ai shtoi se këtu sot punon një numër i vogël i të punësuarve, por është numër i madh i produkteve që do të dalin nga kjo fabrikë, ndërsa duke pasur parasysh misionin e saj, Palushi tha se duhet mbështetje nga të gjithë që numri i të punësuarve të rritet, duke theksuar se një arsye tjetër është edhe se fitimi nga kjo fabrikë do të shkojë për personat me aftësi të kufizuara.

“Për t’u shtuar numri i të punësuarve këtu, duhet mbështetje nga qytetarët, bizneset dhe institucionet, duke i blerë këto produkte, të cilat nga sot do të jenë në tregun e Kosovës dhe shumë shpejt në rajon dhe botë. Në fund është edhe një arsye tjetër pse duhet të blihen këto produkte, i gjithë fitime nga kjo fabrikë do të shkojë për persona me aftësi të kufizuar”, tha Palushi.

Në ceremoninë e hapjes së fabrikës “Freesia” ishte edhe presidentja e vendit, Vjosa Osmani, e cila u shpreh se secili nga qytetarët tanë është unik, zotëron talent dhe potencial të jashtëzakonshëm, “është thelbësore që ne të krijojmë një shoqëri ku të gjithë kanë mundësi të barabarta për të realizuar këtë potencial”.


“Jam shumë e lumtur që ndodhem në mesin tuaj, në hapjen e këtij biznesi që do të jetë jo vetëm në funksion të mbështetjes dhe përfitimit të personave me nevoja të veçanta, por edhe ndërgjegjësimit të bizneseve dhe shoqërisë sonë. Me këtë veprim ju po dëshmoni atë që duhet të dëshmohet nga të gjithë ne si shoqëri, që krah personave me nevoja të veçanta duhet të jemi çdo ditë të jetës sonë”, tha Osmani në fjalën e rastit.

Ai përmendi se nisma si kjo është në dobi të të gjithëve, ngase personat me nevoja të veçanta e meritojnë të jenë pjesëmarrës aktivë edhe në botën e biznesit.

Fabrika “Freesia Paper Factory” aktualisht do të ketë rreth 20 të punësuar dhe të gjithë do të jenë persona me aftësi të kufizuara, ndërsa ka për qëllim që të rritë kapacitetet e prodhimit bashkë me numrin e të punësuarve.